Dhoma torturash me karrige dentisti/ Holanda bastis strofkën e trafikantëve me qeli në kontejnerë

08/07/2020 20:30

Një dhomë torturash e kompletuar me karrige dentisti për “të burgosurit”, brenda një kontejneri të izoluar nga zhurmat, është zbuluar nga policia në Holandë. Forcat speciale përdorën eksploziv për të hyrë në magazinën, ku u bë zbulimi i tmerrshëm dhe arrestuan gjashtë njerëz të dyshuar për pengmarrje dhe torturë.

Shtatë kontejnerë të mbyllur hermetikisht u gjetën në ndërtesën e qytezës Wouwse Plantage pranë kufirit jugor me Belgjikën, të cilat përdoreshin si qeli burgimi dhe torturimi nga bandat kriminale.

Në deklaratën e policisë thuhej se “të dyshuarit e quanin kontejnerin e shtatë “dhoma e trajtimit”, i cili duket qartë se është krijuar për torturimin e njerëzve”.

Në ambientet makabre pranga ishin varur në tavan e në dysheme, ndërsa një rrjet kamerash dukej se realizonte monitorimin e zhvillimeve në distancë. Impianti u zbulua gjatë hetimit të një 40-vjeçari nga Haga, i dyshuar për trafik narkotikësh dhe për komplotimin e një ekzekutimi.

Policia kishte arritur të deshifronte mesazhet e shkëmbyera mes të dyshuarve në aplikacionin EncroChat të përdorur nga trafikantët, duke arritur të ndiqnin në kohë reale zhvillimin e bisedave, në të cilat të dyshuarit kishin shkëmbyer dhe foto të karriges së torturës.

Autoritetet sekuestruan gjithashtu 24 kilogramë të drogës sintetike MDMA, veshje policie, armë dhe automjete të vjedhura.

Policia tha se hetimet vazhdojne dhe nuk dha informacione mbi te kapurit apo origjinën e tyre.

FOTO GALERI
11/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA