Rikthimi i kufizimeve në Kosovë/ Pronarët e restoranteve kundër vendimit të qeverisë: Virusi nuk luftohet me mbyllje biznesi

07/07/2020 12:51

Ndalimi i klientëve të kenë qasje brenda hapësirave të mbyllura dhe shkurtimi i orarit të punës deri në ora 21 nuk është duke u mirëpritur nga pronarët e gastronomisë në Prishtinë.

Mentor Mehmeti, pronar i një restoranti thotë se gjatë kësaj periudhe ka respektuar vendimet e Qeverisë për dezinfektim të lokalit, vendosje të dezifektantëve dhe mbajtje të distancës mes tavolinave, andaj nuk duhet të pësojnë të gjithë për shkak të disa lokaleve të papërgjegjshme.

Si pasojë e mbylljes totale për disa muaj, Mehmeti është detyruar t’i largoj 4 punëtorë nga puna, por duke parë se klientët vazhdojnë të mungojnë, parasheh reduktim të më tejmë të stafit.

Për këtë ai bën apel tek Qeveria për ndihmë financiare, pasi thotë se e nesërmja është e panjohur për të.

Vendimin e qeverisë e ka kundërshtuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, duke vlerësuar se luftimi i përhapjes së virusit nuk mund të bëhet përmes mbylljes së bizneseve.

Brenda katër muajsh, Kosova ka shënuar një rënie ekonomike prej -5.9%

Kjo rënie pritet të thellohet pasi deri tani shteti nuk po arrin t’u dalë në ndihmë bizneseve.

Top Channel