Napoli është fituesi i sfidës të mbrëmjes të së dielës ndaj Romës në San Paolo teksa e mbylli sfidën me verdhekuqtë me rezultatin 2-1 duke harruar në këtë mënyrë humbjen e pësuar ndaj Atalantës. Ishte një ndeshje ku të dyja skuadrat kanë si prioritet ruajtjen e pozicioneve të tyre ndërkohë që edhe Milani është shumë pranë tyre teksa kërkon të hyjë në zonën evropiane.

Sfida ishte e ekuilibruar dhe në momente të caktuara edhe argëtuese përsa i përket ritmit të shfaqur nga të dyja ekipet. Gjithcka ndodhi në pjesën e dytë teksa e para u mbyll me barazimin 0-0. Në 45 minutat e dyta ishte Napoli më kërkues dhe në minutën e 55 Callejon arriti t’i japë avantazhin skuadrës së tij pas një krosimi të Ruit.

Por entuziazmi i tepërt pas golit i kushtoi Napolit që u hodh në sulm, por pas 5 minutash u ndëshkua nga një kundërsulm i Romës që barazoi me Mkhitaryan. Kur kishin mbetur 8 minuta nga fundi i sfidës Napoli arriti të gjejë golin e fitores me kapitenin Insigne duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 2-1

Interi gaboi në San Siro teksa u mund nga Bologna 2-1 një rezultat ky që bën Lazion të buzëqeshë teksa sheh zikaltrit t’i shkëputen disi nga pas. Gjithçka nisi shumë mirë për skuadrën e Contes që mori avantazhin me Lukakun, ndërkohë që Lautaro Martinez humbi një 11 metërsh.

Në 16 minutat e fundit erdhi edhe përmbysja në rezultat e Bolognas me Juwara që barazoi 1-1, ndërsa Barrow i dha goditjen e KO Interit teksa shënoi golin e fitores në 2-1.

Top Channel