144 pacientë të prekur nga koronavirusi janë shtruar në spital në Kosovë, ndërkohë që nga shpërthimi i epidemisë, në mes të marsit, janë konfirmuar gjithsej në vend 3508 raste të koronavirusit.

Prej tyre 75 persona kanë humbur jetën, ndërsa 1531 mbeten rastet aktive. Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ka shkarkuar ndërkohë të hënën drejtorin e përgjithshëm, Basri Sejdiu.

“Shkarkimi vjen si pasojë e performancës jo të kënaqshme dhe mospërmbushjes së detyrave. Në vend të Dr.Sejdiut, ushtrues detyre i drejtorit është caktuar Dr.Valbon Krasniqi, mjek specialist i infektologjisë”, thuhej në deklaratën e shërbimit.

Kjo e fundit nuk jepte detaje se për çfarë performance bëhet fjalë dhe se cilat detyra nuk janë përmbushur. Por, shkarkimi i Sejdiut vjen në kohën kur Qendra Klinike Universitare e Kosovës po përballet me numër të shtuar pacientësh të prekur me Covid-19 dhe një ditë pasi policia rrethoi ambientet e QKUK-së, ku pesë pacientë raportohet se humbën jetën për shkak të mos funksionimit të respiratorëve. Prokuroria themelore në Prishtinë ka nisur ndërkohë hetimin për të zbardhur ngjarjen. Edhe Policia e Kosovës njoftoi se po heton vdekjen e gjashtë personave në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Në raportin policor thuhet se “me vendimin e prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në institutin e mjekësisë ligjore për ekspertizë. Rasti është duke u hetuar.”

Top Channel