Barcelona ia arriti të lërë disi pas krahëve hapat fals në ndeshjet e fundit në kampionat dhe këtë e bëri me një fitore të pastër në fushën e Villarrealit me rezultatin 4-1 duke e ruajtur diferencën prej 4 pikësh me Realin e Madridit.

Katalanasit treguan se nuk kishin ndërmend të toleronin që në fillimin e sfidës teksa morën avantazhin që në minutën e tretë me anë të një autogoli të Pau Torres.

Por Nëndetësja e Verdhë reagoi dhe shumë shpejt gjeti golin e barazimit me Gerard Morenos pas një topi të kthyer nga Ter Stegen pas gjuajtjes së Cazorlas. Nuk priti shumë kohë Barcelona për të rimarrë avantazhin teksa në minutën e 20, Messi arrin të gjejë mundësinë për të pasuar te Suarez, i cili e dërgoi në portën e mbrojtur nga Sergio Asenjo.

Barcelona nuk u ndal me kaq, por gjeti edhe golin e tretë këtë radhë me Griezmann, edhe francezi u furnizua me assistin e Messit për të shënuar një gol shumë të bukur në hyrje të zonës. Në pjesën e dytë VAR i shuan festën Messit që shënoi golin e katërt të sfidës duke e anuluar atë, por skuadra katalanase gjithsesi arrin ta çojë rezultatin në 4-1 me Ansu Fatin të aktivizuar në pjesën e dytë.

 

Top Channel