Alcantara arrin marrëveshjen me Liverpool, tani priten negociatat me Bayernin

04/07/2020 19:08

Drejtuesi i Bordit Ekzekutiv të Bayernit të Mynihut, Karl-Heinz Rummenigge pranoi në një intervistë për mediat gjermane se mbrojtësi austriak David Alaba dhe mesfushori spanjoll Thiago Alcantara, nuk kanë preferuar rinovimin e kontratës me kampionët gjermanë.

Të dy futbollistëve u skadon kontrata verën e ardhshme dhe bavarezët pritet të negociojnë shitjen e tyre këtë vit, për të mos i humbur me parametra zero, ndërsa mediat kanë raportuar se mesfushori spanjoll Thiago Alcantara është pranë firmës me Liverpoolin.

Duket se ka qenë vetë trajneri i “The Reds”, Jurgen Klopp ai që është investuar personalisht për të bindur mesfushorin spanjoll të transferohet në “Anfield Road”, ndërsa tani pritet që të nisin negociatat mes drejtuesve të Liverpoolit dhe atyre të Bayernit të Mynihut.

Kampionët e sapo shpallur të Anglisë janë gati të paguajnë 30 milionë euro menjëherë për kartonin e Thiago Alcantarës dhe 5 të tjera në formë bonusi mbi paraqitjet, shifër kjo që “josh” jo pak drejtuesit e Bayernit.

Megjithatë vlen të theksohet se Thiago Alcantara do të vijojë të qëndrojë pjesë e klubit bavarez të paktën edhe në muajin gusht, kur Bayerni të luajë shanset për të triumfuar në Ligën e Kampionëve.

Top Channel