Të paktën 50 njerëz janë vrarë në Etiopi pasi vrasja e një artisti të njohur, aktivist të drejtash, shkaktoi protesta të gjera në rajonin Oromia, njofton BBC.
Mijëra fansa u mblodhën për të mbajtur zi për Hachalu Hundessa, i cili u vra në një atentat natën e të martës.
Policia tha se 35 njerëz ishin arrestuar për ngjarjen, përfshi dhe politikanin e njohur Jawar Mohammed.
Motivi për vrasjen e Hachalu mbetet i paqartë.
34 vjeçari kishte thënë kohët e fundit se kishte marrë kërcënime me vdekje.
Muzika e tij fokusohej në të drejtat e grupit etnik Oromo dhe ishte bërë himni i protestave që sollën rënien e kryeministrit të kaluar në 2018.
Shumë njerëz u plagosën në protestat e të martës dhe kishte dëme të mëdha të pronës, tha Getachew Balcha, zëdhënës i qeverisë rajonale të Oromia.
Në kryeqytetin Addis Ababa u dislokua ushtria pasi grupet e armatosura nisën të sundonin rrugët, raportonte agjencia Reuters.
Kaosi kishte nisur kur trupi i Hachalu po dërgohej drejt qytetit të lindjes Ambo, në perëndim të kryeqytetit por kjo u ndalua nga Jawar dhe mbështetësit e tij që e rikthyen trupin në Addis Ababa.
Kreu i policisë Endeshaw Tassew, tha se kjo solli përplasjen me viktima.
Hachalu nuk ishte vetëm një artist por dhe simbol i popullatës Oromo, teksa fliste për diskriminimin e tyre politik e ekonomik nën një seri qeverish etiopiane.
Në një prej këngëve të tij ai thoshte: “Mos prit që ndihma të vijë nga jashtë, është një ëndërr që nuk realizohet. Ngrihu, përgatit kalin dhe lufto, je ti ai që do të mbyllë pallatin.”
Top Channel