Barcelona sheh t’i largohet titulli në kampionatin spanjoll të futbollit.

Skuadra katalanase që prej ditësh është përfshirë në një kaos institucional nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në Camp Nou ndaj Atletico Madrid, pikërisht ditën kur Messi shënoi golin e tij të 700 në karrierë. Katalanasit e gjetën shumë shpejt golin e avantazhit në këtë ndeshje që në minutën e 11 kur Diego Costa shënoi autogol pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Lionel Messi.

Por Barcelona nuk diti që të mbajë këtë avantazh pasi 8 minuta më vonë, Vidal shkakton një 11 metërsh, me Ter Stegen që priti gjuajtjen e Diego Costës. Por ekzekutimi i penalltisë u përsërit pasi VAR sinjalizoi se portieri gjerman kishte kaluar vijën e portës. Herën e dytë ishte Saul që mori përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe u tregua i saktë për të barazuar në 1-1. Në fillimin e pjesës së dytë, u akordua një tjetër penallti këtë radhë në favor të Barcelonës. Messi me stilin Panenka mposhti Oblak duke shënuar golin e dytë për Barcelonën, të 22-të të tij në sezon dhe të 700 në karrierë. Por edhe në këtë rast katalanasit ishin të paaftë të ruanin kryesimin pasi Atletico Madrid fitoi një tjetër 11 metërsh.

Përsëri Saul mori përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe këtë radhë pati edhe fatin me vete pasi Ter Stegen nuk mundi dot të ndalë topin e gjuajtur prej tij edhe pse e preku atë. Në fund rezultati mbeti 2-2 me Realin që ruan vendin e parë me 1 pikë më shumë se Barcelona me Los Blancos që mund ta cojnë në 4 këtë diferencë nëse mbrëmjen e së enjtes fiton me Getafen.

Top Channel