Manchester United merr vendimin final, nuk ka Europa League për Sanchez dhe Smalling

01/07/2020 22:47

Manchester United ka vendosur sot zyrtarisht që të mos lejojë qëndrimin e Alexis Sanchez dhe Chris Smalling, respektivisht te Interi e Roma, edhe gjatë muajit gusht, pasi dëshiron të shmangë përballjen me ta si kundërshtarë, në rast të ndonjë “kapriçoje” të shortit në Europa League.

Të dy futbollistët kanë qenë pjesë e klubeve italiane në huazim këtë sezon, ndërsa me ndërprerjen e futbollit për shkak të pandemisë, drejtuesit e “djajve të kuq” kanë pranuar huazimin deri në fund të muajit korrik, që përkon edhe me përfundimin e ndeshjeve të kampionatit.

Në muajin gusht Interi e Roma do të jenë të angazhuar në Europa League, ashtu si edhe Manchester United, ndaj drejtuesit e klubit anglez kanë refuzuar zgjatjen e huazimit edhe për këtë periudhë.

Kështu e vetmja mundësi që Interi e Roma të kenë në dispozicion Sanchez e Smalling edhe për muajin gusht, është që të arrijnë marrëveshje për blerjen përfundimtare të tyre më herët se data 31 korrik.

Kujtojmë që Roma është vërtetë e interesuar të blejë kartonin e anglezit Chris Smalling, por kërkesa e klubit nga Manchesteri është ende shumë e lartë për verdhekuqtë. Ndryshe është situata me Sanchez, ku Interi kërkon zgjatje të huazimit edhe për një tjetër sezon, duke futur të drejtën e blerjes verën e ardhshme.

Si Alexis Sanchez, ashtu edhe Chris Smalling nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer, ndaj edhe pasi të rikthehen në Manchester në muajin gusht, do të duhet të kërkojnë për një tjetër sistemim për sezonin e ri.

Top Channel