FIFA/ Ish-drejtori i Financave, Kattner, pezullim 10-vjeçar

01/07/2020 12:18

Ish-drejtori i Financave në FIFA, Markus Kattner u dënua me 10 vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet futbollistike dhe me një gjobë prej 1 milionë frangash zvicerane.

Dënimi u dha nga Komisioni i Etikës së FIFA pas hetimeve të zhvilluara dhe që kishin nisur në 2016 pas skandalit që mbërtheu qeverinë e futbollit botëror ku u përfshinë edhe dy drejtuesit më të lartë të saj Sepp Blatter dhe Jerome Valcke.

Në një komunikatë të saj FIFA thekson se hetimet u kryen për një sërë bonusesh të paguara në lidhje me kompeticionet e FIFA në favor të drejtuesve më të larta të këtij institucionit ku përfshihet dhe vetë Kattner, amendamente të ndryshme për zgjatjet e kontratave të punës, rimbursimin e kostove për çështje ligjore private dhe për detyrën e vetë Kattner si zyrtar.

Në këtë komunikatë theksohet se Kattner akuzohet për konflikt interesi dhe abuzim me pushtetin teksa ka thyer nenin 19 dhe 25 të Kodit të Etikës së FIFA dhe për këtë arsye ai u dënua me 10 vjet pezullim dhe gjobë prej 1 milion franga zvicerane. Kattner në rolin e tij si Drejtor i Financave u akuzua bashkë me Blatter dhe Valvke për përfshirje në veprime të koordinuara për pasurimin e tyre me një shumë mbi 80 milionë Dollarësh për pagesa të dyshimta të marra në një periudhë 5-vjeçare. Blatter dhe Valcke tashmë e kanë marrë dënimin e tyre me pezullim nga aktivitetet futbollistike me Blatter që ka qenë president i FIFA për periudhën 1998-2015

Markus Kattner, tashmë 49-vjeçar, u bashkua me FIFA në 2003. ai u shkarkua nga posti i tij në maj të 2016 pasi FIFA nisi të hetojë për pagesat e miliona dollarëve për llogari të Drejtorit te Financave që zëvendësoi edhe Valcken në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s.

Top Channel