Barcelona pret sot në mbrëmje në Camp Nou, Atletico Madrid-in, një sfidë që konsiderohet si një nga 6 finalet e mbetura të sezonit, ku në lojë është titulli kampion.

Skuadra katalanase pas hapit fals në Balaidos ndaj Celta Vigos e ka detyrim fitoren ndaj skuadrës së Simeones për të mos venitur akoma më shumë shpresat në garën për fitoren e kampionatit me Realin e Madridit që tashmë është 2 pikë para në renditje. Në ditët e fundit ka pasur tensione te skuadra katalanase ku diskutohet figura e Setien, ndërkohë që raportet e ndihmësit të tij me lojtarët nuk janë aspak të mirë.

Në fillim të këtij viti, Atletico Madrid solli shkarkimin e Ernesto Valverdes pasi e eliminoi Barcelonën  në Superkupën e Spanjës dhe historia mund të përsëritet sot në mbrëmje. Lajmi i mirë për Barcelonën është se do të luajë ndeshjen në shtëpinë e saj, ku skuadra katalanase është shfaqur në kufijtë e perfektes me 46 pikë të grumbulluara nga 48 të mundshmet.

Për këtë ndeshje Barcelona do të ketë Busquets që nuk ishte ndaj Celtas për shkak skualifikimi ndërkohë që kthehet edhe Sergi Roberto i riaftësuar nga dëmtimi. po kështu, Setien ka grumbulluar në skuadër edhe Arthur edhe pse një ditë më parë u zyrtarizua kalimi i tij te Juventusi sezonin e ardhshëm. Për t’u parë është nëse Setien do të guxojë të aktivizojë në formacion ndonjë nga të rinjtë e Barcelonës si Ansu Fati apo do të besojë te eksperienca e sulmuesve aktualë.

Atletico nga ana e tij do të kërkojë të shfrytëzojë klimën aspak të qetë te Barcelona për t’i dhënë një goditje të fortë skuadrës Blaugrana. Los Colchoneros vijnë pas 4 fitoreve radhazi dhe tashmë kanë marrë vendin e tretë në klasifikim. Për përballjen me katalanasit, Simeone nuk do të ketë në dispozicion Koke, ndërkohë që mungesa ka edhe në mbrojtje, por në sulm trajneri argjentinas rikuperon Diego Costan dhe do të besojë te Marcos Llorente. Gjyqtari kryesor i ndeshjes do të jetë Hernandez Hernandez, ndërsa në sallën VAR do të jetë Mateu Lahoz. Sfida mes Barcelonës dhe Atletico Madrid do të luhet në orën 22:00 dhe do të transmetohet në platformën DigitAlb.

Top Channel