Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive në Shtetet e Bashkuara, i tha senatit amerikan se ai “nuk do të befasohej” nëse do të kishte deri në 100.000 raste me koronavirus në ditë.
“Është e qartë që ne nuk jemi nën kontroll tani”, tha ai para senatorëve, duke paralajmëruar se amerikanët, në masë të madhe, nuk janë duke veshur maska apo mbajtur distancë sociale.
“Nuk mund të bëj një parashikim të saktë, por do të jetë shumë shqetësuese, ju garantoj për këtë”, tha Fauci.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara regjistruan së paku 42,000 raste të reja me koronavirus në 24 orë.
Pandemia e koronavirusit ka infektuar më shumë se 10 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka vrarë më shumë se 504,000, tregojnë të dhënat e Universitetit Johns Hopkins. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i goditur me mbi 2.6 milionë raste dhe me më shumë se 126,000 viktima.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi të hënën se pandemia e koronavirusit nuk është “as afër fundit”, duke thënë se botës do t’i duhet “edhe më shumë rezistencë, durim, përulësi dhe bujari në muajt përpara”.
Top Channel