Dy gola për tri minuta, Interi përmbys në fund Parmën

28/06/2020 23:47

Interi për minuta të tëra dha përshtypjen që do të zhgënjente për të dytën ndeshje radhazi (pas barazimit me Sassuolon), teksa deri në minutën e 83-të ishte nën një gol në “Tardini” të Parmës, por në minutat e fundit arriti të zhvlerësonte golin e Gervinho me finalizimet e dyshes De Vrij-Bastoni (1-2).

Ashtu si dhe ndaj Sassuolos, mbrojtja e Interit u tregua shumë naive në minutën e 15-të, kur një top i gjatë i Kuckas pëfundoi në thellësi në këmbët i Gervinho, i cili bëri lëvizjet e tij të zakonshme në zonë, duke dribluar kundërshtarët, para se të mposhtte Handanovicin.

Në fakt, Interi e rriti presionin në pjesën e dytë, i pati rastet fillimisht me Lautaron e Lukakun, por jo qartësinë apo fatin për ta dërguar topin në rrjetë. Gjithsesi, goli i shumëpritur erdhi në minutën  84-t, kur De Vrij devijoi në rrjetë topin e goditur me kokë nga Martinez. Pikërisht në këtë moment Kucka u ndëshkua me karton të kuq për sjellje josportive. Kaq i mjaftoi Interit që në aksionin pasardhës të shënonte golin e dytë me Bastonin, i harruar në shtyllë e dytë, pas asistit të Moses.

Ky sukses i zikaltërve kthen diferencën prej tetë pikësh me Juventusin kryesues./SS/

Top Channel