Qeveria amerikane u dërgon 1.4 miliardë dollarë të vdekurve!

26/06/2020 09:53

Zyra e Përgjegjësisë së Qeverisë (GAO), një agjenci mbikëqyrëse e pavarur e Kongresit, raportoi së fundi se mbi një milion amerikanëve të ndjerë, u janë dërguar gjithsej 1.4 miliardë dollarë muajt e fundit, në përpjekjet e administratës për të nxitur fillimin e ekonomisë gjatë periudhës më të keqe të pandemisë.

Më shumë se 160 milionë pagesa që kapin shumën 269 miliardë dollarë u shpërndanë për shumicën e amerikanëve. Në përgjithësi, rreth 90% e amerikanëve morën pagesat në para, përfshirë 500 dollarë për çdo fëmijë. Raporti i GAO thotë se lista e përfituesve ishte bazuar në emrat e regjistruar në deklaratat federale të taksave 2018 ose 2019, por qeveria dështoi të llogariste njerëzit që kishin vdekur më pas.

GAO tha që për të përmbushur mandatin e kongresit për të ofruar pagesa sa më “të shpejta të ishte e mundur”, Departamenti i Thesarit dhe Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme dërguan tre grupet e para të pagesave pa kontrolluar të dhënat e vdekjeve në Administratën e Sigurimeve Shoqërore.Të mbijetuarit e të ndjerëve që morën pagesa të qeverisë fillimisht menduan se mund të mbanin pagesat, por agjencia e mbledhjes së taksave vendosi në maj që paratë duhet “të ktheheshin”.

Megjithatë, GAO tha në raportin e saj se aktualisht nuk ka një plan për të njoftuar marrësit e paligjshëm – gati 1.1 milionë të afërm të njerëzve të vdekur që nga 30 Prilli – se si të kthejnë pagesat.

Top Channel