Kosovë/ Zemaj paralajmëron testime masive për koronavirus

25/06/2020 14:12

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, paralajmëroi mundësinë e fillimit të testimeve masive për koronavirusin e ri.

Ai tha se institucionet janë duke e vlerësuar situatën me pandeminë dhe se janë duke punuar në një strategji anti-COVID-19.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizitë në komunën e Prishtinës.

“Jemi duke e vlerësuar situatën që të kalojmë edhe në testime masive. Ne kemi formuar edhe grup ekspertesh brenda ministrisë i cili do të adresohet shumë shpejt me rekomandime të qarta edhe për testimet dhe për strategjinë e re anti-covid 19′, tha Zemaj.

Pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Komunës, Shpend Ahmetin, Zemaj deklaroi se “mund të ketë një valë të dytë të virusit COVID-19, në vjeshtë”.

“Eventualisht mund të ketë edhe një valë të dytë në shtator ose tetor, por ne duhet të jemi të gjithë të përgatitur, të gjitha institucionet tona dhe ky është qëllimi i ministrisë së Shëndetësisë”, tha Zemaj.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar 2,363 të infektuar me koronavirus, prej raportimit të rasteve të para më 13 mars. Prej tyre, 1,171 janë shëruar ndërsa 40 pacientë kanë vdekur.

Top Channel