Avdullah Hoti i bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, pas publikimit të aktakuzave të Zyrës së Prokurorit Special kundër presidentit Hashim Thaci dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, deklaroi kryeministrit kosovar përmes një postimi në Facebook.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa po ashtu tha se beson thellësisht në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb”, ka shkruar ai në Facebook. Në një linjë është edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ish kryeministri Albin Kurti, që gjithashtu thotë se lufta e UCK-së ka qenë e drejtë.

Kurti është shprehur se situata e krijuar sot “është pasojë e re e gabimeve të vjetra, kur Kosova duhet të kishte pasur gjyqësinë e vet të pavarur. “E di që lufta çlirimtare e UÇK-se është luftë e drejtë, është luftë kundër një agresori dhe okupatori, i cili kreu genocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët, invalidët e UÇK-së edhe historikisht janë në të drejtën e tyre dhe tonë”, u shpreh Kurti.

Top Channel