Në 1 korrik, Gjermania merr presidencën e radhës së BE-së në mesin e pandemisë së koronavirusit që kërcënon të kthehet në sfidën më të madhe të saj.

Kapërcimi i kësaj situate dhe rimëkëmbja ekonomike në Europë janë dy çështjet qendrore, me të cilat do të merret Gjermania gjatë 6 muajve që do të jetë në krye të kësaj presidence.

Ky është konstatimi i partive të Unionit CDU/CSU dhe socialdemokratëve, në negociatat e Këshillit të koalicionit të zhvilluara në zyrën e Kancelares.

“Bashkimi Evropian gjendet para një sfide që përcakton fatin e vendeve anëtare, e kjo është pandemia COVID-19”, thuhet në dokumentin e partive të koalicionit qeverisës.

Gjermania do të angazhohet gjatë kohës së presidencës me gjithë fuqinë për tejkalimin e kësaj pandemie dhe për rimëkëmbjen ekonomike të Evropës. Qeveria gjermane synon të lërë pas këtij mandati një Europë më inovative, më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Një synim tjetër është edhe një Europë më e sigurt, ku respektohen vlerat e përbashkëta si dhe një Europë më të fuqishme në botë.Për të evituar pasojat ekonomike të pandemisë Corona në BE, ekziston një propozim i Komisionit të BE për financimin e projekteve ekonomike dhe investigative, me një vëllim prej 750 miliardë eurosh. Prej tyre 500 miliardë euro do të jenë si ndihma për vendet anëtare të BE, ndërsa pjesa tjetër janë kredi. Borxhet duhet të kthehen në buxhetin e BE deri në vitin 2058.

Top Channel