‘Përvëlohet’ Spanja, 47 gradë celcius në Sevilja

24/06/2020 01:34

Kjo verë paralajmërohet të jetë shumë e nxehtë dhe ekspertët thonë se edhe java në vijim do të sjellë temperatura të larta, por, ndërsa i nxehti përvëlues do të vonojë edhe pak të vijë tek ne, në Spanjë ai ka mbërritur tashmë.

Në qytetin spanjoll të Sevijës, banorët po përpiqen të freskohen sadopak, në mënyra të ndryshme, ndërsa qyteti është goditur nga një valë e parë të nxehti për këtë vit dhe mërkuri në termometër ka mbërritur të martën në 47 gradë celcius.

Në fakt, i gjithë gadishulli iberik do të përballet me këtë valë të nxehti. Shtatë qytete kanë thyer rekordin e tyre absolut. Në Madrid, temperatura ka shkuar në 40.3 gradë celcius. Zonat bregdetare, që sidoqoftë përfitojnë nga flladi i detit, temperaturat nuk i kanë kaluar 30 gradët celcius e po ashtu edhe në Valencia, ku tashmë turistët janë rikthyer.

E ndërsa Evropa po mëson të jetojë me normalitetin e ri të imponuar nga pandemia e koronavirusit, fundjava e fundit në Siberi solli temperatura prej 38 gradësh celcius, një temperaturë lokale kjo dhe me gjasë edhe një rekord për rrethin arktik. Temperaturat globale vazhdojnë kështu të rriten, dhe ky, është normaliteti tjetër i ri me të cilin po përballet arktiku.

Top Channel