‘Las Vegasi pa kazino’/ Antalia e ‘braktisur’ nga turistët

24/06/2020 01:55

Në kohë normale, turistët duhet të ngrihen në agim për të siguruar një çadër dielli dhe shezllon në plazh në Antalia, një resort i famshëm pushimesh në Turqinë jugore. Tani, edhe në mes të ditës, vendet më të mira janë sërish të disponueshme.

Ashtu si kudo tjetër, pandemia e koronavirusit ka dëmtuar industrinë e turizmit, një sektor jetësor i ekonomisë turke që priti një rekord prej 50 milionë vizitorësh të huaj, vitin e shkuar. Por, me heqjen e kufizimeve në pjesë të tjera të botës, përfshirë hapjen graduale të lidhjeve ajrore, Turqia po përpiqet të joshë turistët, për të shpëtuar atë që mundet nga sezoni veror. Në një hotel luksoz në brigjet e mesdheut, shenja në dysheme ftojnë klientët të respektojnë distancimin social, gjeli dezinfektues është vendosur para ashensorëve dhe stafi mban maska mbrojtëse.

Ne kemi marrë masa strikte për të mbrojtur punonjësit dhe turistët. Turqia është vendi më i përgatitur për të mirëpritur vizitorët – thotë ministri i turizmit. Ky i fundit, javën e kaluar prezantoi çertifikatën e turizmit të sigurt që jepet në bazën e 132 kritereve për hotelet dhe restorantet.

Rreth 500 subjekte e kanë marrë këtë çertifikatë dhe autoritetet shpresojnë që shifra të katërfishohet këtë muaj. Me qëllim që të marrin çertifikatën, hotelet duhet të kenë një ndarje të veçntë për të izoluar turistët që rezultojnë pozitivë. Qeveria ndërkohë ka prezantuar një skemë sigurimi shëndetësor, prej 23 eurosh, që mbulon shpenzimet spitalore për pacientët me Covid-19.

Antalia, quhet shpesh edhe Las Vegasi pa kazino, për shkak të hoteleve të saj luksoze. Por tani, duket si një qytet fantazëm. Me përjashtim të disa farmacive, të gjithë dyqanet dhe restorantet janë mbyllur.

Top Channel