Takimi i Washington-it, Hoti në Bruksel/ Për vizat, jo për dialogun

23/06/2020 12:44

Dy ditë përpara takimit të shumëdiskutuar të Washingtonit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të qëndrojë në Bruksel.

Por ndërsa kjo ndalesë ishte interpretuar si shenjë e rifillimit ne kryeqytetin belg të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, disa media vendase thonë se nga zyra e shefit të ekzekutivit i është shpjeguar se “Hoti shkon në Bruksel për vizitë bilaterale, jo për dialog”.

Ai vetë në një postim në faqen e tij ne Facebook shpjegon axhendën që do të ndjekë, ku nuk përmend dialogun.

“Si Kryeministër i Kosovës, në 25 qershor në Bruksel takohem me Kryetaren e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Kryetarin e Këshillit Europian, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim z. Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, z. David McAllister. Do të bisedojmë për: hapat që kemi ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, për mbështetjen nga ana e KE për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces i cili ka ngecur jo për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga ana e jonë”, ka shkruar Hoti.

Ai shton më tej sakaq se nga Brukseli do të udhëtojë për Washington, ku në 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë do të nisin dialogun për njohje reciproke, fillimisht me një agjendë të fuqishme të zhvillimit ekonomik. Dialogu Prishtinë-Beograd I ka vënë në përballë njëra tjetrës SHBA-në me BE-në, me shumë ekspertë që janë të mendimit se Richard Grenell po konkurron në mënyrë të drejtpërdrejtë me të ngarkuarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak.

 

Top Channel