Terrorizmi vijon të mbetet shqetësim për inteligjencën dhe antiterrorin shqiptar, edhe në planin lokal, pavarësisht se në vendin tonë nuk ka pasur akte të mirëfillta terroriste.

Dy janë organizatat të cilat cenojnë sigurinë, Al Kaeda dhe Shteti Islamik, i njohur si ISIS, si edhe Irani pasi rajoni është i sënjestruar nëpërmjet propagandës, thirrjeve dhe nxitjeve të mbështetësve për akte terroriste.
Sipas shërbimit informativ të shtetit, terrorizmi mund të ketë edhe maskë diplomatike, për grumbullime inteligjente e planifikim aktesh terrori.

Për këtë arsye në dhjetor të vitit 2018, vendi ynë dëboi ambasadorin iranian në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia dhe diplomatin e kësaj ambasade, Mostafa Roudaki. Ata dyshohet se ishin pjesë e rrjetit që do të sulmonte ambasadën amerikanë në Bagdad, por edhe për faktin që vendi ynë u bë pjesë e kërcënimeve të Ajatollahut, për shkak se strehon rreth 3000 muxhahedinë, anëtarë të opozitës Iranianë në mërgim.

Ndërsa në vitin 2019, vendi ynë dëboi Mohamed Peimanemati, këshilltar i ambasadës Iraniane në Tiranë, si dhe Seyed Ahmed Hosseini Alast, atashe kulturor, për të cilët dyshohej se ishin në lidhje të drejtpërdrejtë me ish shefin suprem të trupave Quds, gjeneralit Kasem Sulejmanit, i vrarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në janar të këtij viti.
Ndërkaq Alast, ishte i angazhuar edhe në fondacionin Kulturor Shirazi. Përdorimi i organizatave social-kulturorë është një tjetër mburojë për aktivitete spiunazhi, siç thonë shërbimet inteligjente.

Po në 2019-ën Antiterrori Shqiptar, zbuloi edhe një celulë terroriste Iraniane, e cila kishte parashikuar të ndërmerrte sulme terroriste në vendin tonë gjatë ditës së festimit të Novruzit në Tiranë, në vitin 2018 ndaj muxhahedinëve.
Në anën tjetër, ajo çfarë e rrezikon Shqipërinë, është fakti që, siç thonë edhe Shërbimet Sekrete, vendi ynë vijon të mbetet vend tranzit për kalimin e emigrantëve të paligjshëm, që duan të shkojnë më pas drejt Europës, të cilët herë pas herë përdorin edhe dokumenta false.

Rasti i parë i përdorimi të kësaj rrugë, për qëllime terroriste ishte i Resul Mislaev, një shtetas rus, i cili kishte luftuar përkrah ISIS-it, dhe ishte shpallur në kërkim nga Interpoli për akte terroriste, por u ndalua në kufi në korrik të vitit 2018. Ndërsa në shkurt të këtij viti, ai u ekstradua sipas ligjit, drejt Rusisë. /Andi Bora/

Top Channel