Burgoset misionari pedofil i jetimores në Kenia dhe bashkëshortja e tij

17/06/2020 17:38

Një misionar kristian amerikan ka pranuar dje akuzat e abuzimeve seksuale me fëmijë që supozohej të mbronte në jetimoren që menaxhonte bashkë me të shoqen, e cila gjithashtu u dënua për mizori ndaj fëmijëve.

Misionari i gënjeshtërt 61 vjeçar Gregory Dow u dënua me 15 vjet burg për abuzime seksuale me vajza deri në 11 vjeç në jetimoren e tij Dow Family në Kenia. Ai u kap në SHBA pas mbylljes së jetimores.

Sipas mediave lokale, gruaja e tij Mary Rose Dow kishte çuar katër viktimat e abuzimit seksual të bashkëshortit, me moshë 11 dhe 13 vjeç, në një klinikë kontraceptive pa miratimin e tyre.

Prokurori amerikan Timothy Stengel tha në një telekonference se Dow “ishte i aftë të kryente krimet e tij pa frikën se abuzimet do të rezultonin në shtatzani”.

Dow u vendos në Kenia në 2008 bashkë me gruan dhe gjashtë fëmijët e tyre, për të ngritur jetimoren në Boito në perëndim të vendit.

Mediat lokale thonin se ai u kërkonte vajzave që abuzonte ta quanin ‘baba’.

FBI raportonte se ky predator seksual përdorte pozitën e tij superiore për të shfrytëzuar fëmijët për kënaqësi seksuale.

Mediat vendase thonin se në 2017 dy nga viktimat e tij u larguan nga jetimorja dhe treguan më vonë për abuzimet e pësuara por kur autoritetet reaguan jetimorja ishte mbyllur.

Gruaja e Dow, Mary Rose Dow u kap në kryeqytetin kenian Nairobi dhe u burgos për pesë muaj për mizori ndaj fëmijëve

Ndërsa vetë Dow ishte arratisur në SHBA dhe u kap më në fund në 2019, pas denoncimit të organizatës keniane të grave, si dhe atë të ish-gruas së tij që tha se kishte ngacmuar seksualisht edhe vajzën e tyre të madhe.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel