Protestuesit anti-racizëm përleshen me policinë në Paris

13/06/2020 19:13

Policia me veshje speciale përdori sot gazin lotsjellës për të parandaluar që protestuesit anti-racizëm të marshonin në qendër të Parisit, teksa vala e zemërimit që ka shpërthyer në të gjithë botën për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd ka gjetur jehonë të gjerë në Francë.

Protestuesit ishin mbledhur në sheshin Place de la Republique, duke brohoritur “Pa drejtësi, s’ka paqe” dhe disa prej tyre u ngjitën në statujën e Marianne, e cila personifikon republikën e Francës.

Policia refuzoi lejen e organizatorëve për të protestuar në Shtëpinë e Operas.

Protesta ishte përgjithësisht paqësore por pas disa orësh nisën përplasjet kur policia nisi të sulmonte grupe të protestuesve më problematikë, të cilët qëlluan me gurë rreshtat e policëve.

Zemërimi për vdekjen e George Floyd në dorë të policisë së Minneapolis ka gjetur jehonë të gjerë në zonat e varfra urbane të Francës që ankohen për mungesë transparence ndaj trajtimit brutal të policisë franceze ndaj rezidentëve me prejardhje emigrante.

Assa Traore, motra e 24-vjeçarit Adama Traore, të vdekur në dorë të policëve në Paris në 2016 foli në protestën e sotme.

“Vdekja e George Floyd ka jehonë në France për vëllanë tim të vogël. Ajo që ndodh në SHBA po ndodh edhe këtu. Vëllezërit tanë po vdesin”, tha ajo.

Kësaj jave ministri i brendshëm franceze Christophe Castaner pranoi se ka dyshime për racizëm në agjencitë franceze të ligjit.

Por sindikatat e policisë refuzuan kritikat duke thënë se po bëheshin kokë turku për problemet e thella sociale të vend.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA