MiG-35 i cili ka hyrë në shërbim vitin e kaluar me forcat ajrore ruse, është gjuajtësi i parë rus që prej epokës socvetike që nuk rrjedh nga modeli i gjuajtësit të rëndë Su-27.
Ai integron disa teknologji moderne luftimi si shtytësat tre-dimensionalë të motorit, radari AESA, raketat ajër-ajër R-37M dhe disa armatime të tjera.
Piloti testues i modelit Dmitry Selivanov, tha në një intervistë se MiG-35 ka integruar gjithashtu inteligjencën artificiale si asistente e pilotit.
“Ne e quajmë atë Rita, sepse komunikon me zë. Zëri i saj mbetet i qetë dhe i pëlqyeshëm, edhe kur avioni goditet nga zjarri. Ajo nuk flet gjithë kohës por vetëm bën rekomandime kur një avion tjetër kalon distancën e sigurisë”.
Zhvillimi paraqet një koncept që shumë prodhues të mjeteve të luftimit si në Kinë e në SHBA, po përpiqen të integrojnë në avionët e tyre, në mënyrë që inteligjenca artificiale të mbështesë në mënyrë aktive operacionet e luftimit.
Në lidhje me testimin e pilotit robot, Selivanov thotë: “Në terren testohen situatat më të vështira të emergjencës, me anë të simulatorëve. Kjo përfshin ndalimin e një motori apo dështimin e një sistemi të rëndësishëm. Ne sigurisht nuk mund të bëjmë testime të tilla gjatë fluturimit, por e rëndësishme është që piloti-asistent është i gatshëm për çdo situatë. Për t’u siguruar për këtë ajo duhet të kuptojë mirë termat teknike. Ende asgjë serioze nuk ka ndodhur me MiG-35, përveç disa çështjeve rutinë që u riparuan më vonë”.
MiG-35 i bashkohet flotës ruse si një gjuajtës i mesëm me kosto të ulëta mirëmbajtjeje dhe operacionale, në krahasim me modelet më të rënda Su-30 e Su-35.
Top Channel