Rasti i abuzimit të një 15-vjeçareje në periferi të Tiranës duket se derdhi kupën e indinjatës sociale në atë që po ndodh në familjet, lagjet, fshatrat e qytetet tona.

Faktet e përsëritura tregojnë se ne jemi një shoqëri që prodhojmë dhunë dhe që përjetojmë  pasojat e saj në shumë mënyra dhe forma.

Të gjendur në një situatë të tillë, ditën e djeshme, të rinj e të reja, njerëz të thjeshtë apo personazhe publike iu bashkuan manifestimit kundër abuzimeve seksuale. Protestës paqësore iu bashkua edhe gazetarja Eni Vasili, e cila e ftuar sot në emisionin “Top Talk” foli pikërisht rreth kësaj ndodhie.

“Kjo është një gjë që më shqetëson në përditshmërinë time. Në protestë isha si qytetare dhe më pas si gazetare. Nuk e kam zakon të shkoj në protesta, manifestime të forcave të ndryshme politike, por kjo është një çështje tjetër. Kjo është diçka që na prek të gjithëve. Ne duhet të ishim të gjithë aty, ishin shumë, ishte një kënaqësi ta shihje, kishte djem me pankarta në duar, por unë vetë vendos të jem prezente sepse shqetësohem nga realiteti ku jetojmë. Të mos e kisha njohur kaq thellë, ndonjëherë edhe mbi kurrizin tim , të mos e kisha provuar maskilizmin  e shoqërisë shqiptare që ekziston në çdo sektor nga politika e më poshtë, nuk do ndjeshesha ndonjëherë kaq në ankth për fatin e vajzave në Shqipëri”, u shpreh Vasili.

Top Channel