Presidenti amerikan, Donald Trump ka telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin për t’i treguar propozimin e tij që të zgjerojë Samitin e shtatë vendeve më të Industrializuara (G7) më vonë gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe Rusinë në të, ka njoftuar Kremlini. Në kohën e pandemisë me koronavirus, Trump ka thënë javën e kaluar se ai do të mund të shtynte deri në vjeshtë takimin e liderëve të G7-ës, që ishte planifikuar të mbahej muajin e ardhshëm, dhe se aty planifikon të ftojë Rusinë, Australinë, Korenë Jugore dhe Indinë.
Kremlini ka thënë më 1 qershor se Trump i ka treguar Putinit këtë ide, mirëpo nuk ka ofruar të dhëna të diskutimit, apo nëse lideri rus ka pranuar ftesën. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar bisedën duke thënë se të dy liderët “kanë diskutuar përparimin drejt mbajtjes së takimit të G7-ës”.
Trump u ka thënë gazetarëve më 30 maj se grupi i anëtarëve të tanishëm të G7-ës, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Britania, Japonia, Italia dhe Franca – është i “papërditësuar” dhe nuk përfaqëson në mënyrë të duhur “atë që po ndodh në botë”. Rusia ka qenë anëtare e këtij grupi për shumë vjet, duke e kthyer grupin në G8, mirëpo është përjashtuar për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.
Trump ka thënë se beson që do të ishte e përshtatshme që Rusia të jetë pjesë e grupit “sepse për shumë gjëra që flasin, kanë të bëjnë me Rusinë”. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë është thënë se Trump dhe Putin kanë diskutuar edhe përpjekjet e fundit për të luftuar pandeminë me koronavirus dhe rihapjen e ekonomisë globale. Presidenti amerikan ka “ritheksuar nevojën për kontroll efektiv të armëve”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Putin ka falënderuar Trumpin për dërgesat e ventilatorëve dhe e ka përgëzuar për nisjen e dy astronautëve me anijen kozmike të ndërtuar nga kompania SpaceX, e Elon Muskut, është thënë në njoftimin e Kremlinit. Kremlini ka thënë edhe se Putin dhe Trump kanë folur për zhvillimin e bashkëpunimit me përftime të përbashkëta në Hapësirë, si dhe kanë biseduar edhe për nevojën e rritjes së dialogut në mes të SHBA-së dhe Rusisë, sa i përket stabilitetit strategjik dhe hapave për të krijuar besim të përbashkët në fushën e ushtrisë./REL
Top Channel