Zjarret masive në Greqi/ Dhomat e zhveshjes së një stadiumi ‘ndërrojnë’ funksion, kthehen në qendra strehimi për mbi 100 kafshë të shpëtuara

04/08/2026 21:43

Mbi 100 kafshë të shpëtuara nga zjarri shkatërrues në Atikën, në Greqi janë strehuar në një qendër të përkohshme të ngritur në dhomat e zhveshjes së stadiumit të futbollit në Vilia, falë bashkëpunimit mes autoriteteve lokale dhe dhjetëra vullnetarëve.

Nisma u realizua nga Bashkia, organizata Dogs’ Voice, shoqata lokale për mbrojtjen e kafshëve “Adespotes Psyches” dhe dashamirës të kafshëve nga zona.

Që në ditët e para, banorët dhuruan ushqime dhe medikamente, ndërsa shumë vullnetarë u angazhuan për kujdesin e përditshëm të kafshëve, përfshirë shëtitjen e qenve. Ndërkohë, macet e shpëtuara janë transferuar gradualisht në Megara.

Nënkryetari i Bashkisë, përgjegjës për mbrojtjen e kafshëve, Dimitris Pagonis, tha se në strehën e përkohshme janë grumbulluar rreth 100 qen dhe mace, si edhe 30-40 kafshë blegtorale, të cilat po mbahen në stalla derisa të merren nga pronarët e tyre.

“U bë një përpjekje e madhe. Kontributi i vullnetarëve është vërtet prekës, sepse pa ta një projekt i tillë nuk do të kishte pasur sukses”, u shpreh ai.

Sipas Pagonis, një pjesë e kafshëve tashmë janë ribashkuar me pronarët e tyre, ndërsa disa kafshë endacake janë adoptuar.

Për ato që kanë mbetur në strehë, autoritetet po punojnë që t’i rikthejnë gradualisht në zonat ku jetonin, duke u siguruar që të kthehen në një mjedis të sigurt dhe te personat që kujdeseshin më parë për to.

Duke iu referuar rasteve të kafshëve që u gjetën vetëm në zonat e evakuuara, Pagonis tha se nuk duhet të nxirren përfundime të nxituara për braktisjen e tyre.

“Në një fatkeqësi të tillë mund të ketë pasur njerëz që nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre. Megjithatë, kafshët nuk janë objekte, por qenie të gjalla dhe duhet të përpiqemi gjithmonë t’i marrim me vete në raste emergjente”, tha ai.

Ai shtoi se kafshët e lënduara kanë marrë kujdes të përditshëm veterinar në klinikën e bashkisë, me mbështetjen e veterinerëve të organizatës Dogs’ Voice.

Sipas tij, shumica e lëndimeve kanë qenë të lehta, kryesisht djegie në putra, dhe kafshët pritet të rikuperohen plotësisht brenda një kohe të shkurtër.

Top Channel