Futbollistët e kampionëve në pritje të Anglisë, Liverpool bënë sot përshëndetjen në një gju në qendër të stadiumit të tyre Anfield, ashtu si shumë ikona të tjera të sportit botëror që kanë shprehur mbështetjen ndaj protestave pas vdekjes në dorë të policisë të afro-amerikanit George Floyd në Minneapolis.

Fotoja e 29 lojtarëve të klubit erdhi me komentin “Bashkimi është forcë. #BlackLivesMatter”.

Sipas raportimeve futbollistët e kishin kërkuar sot foton zyrtare.

Ish sulmuesi i kampionatit të futbollit amerikan Colin Kaepernick protestoi i pari kundër padrejtësisë racore dhe brutalitetit të policisë duke u ulur në një gju gjatë himnit amerikan në verën e 2016. Prej atëherë gjesti është kthyer në një simbol të lëvizjes për të drejtat e njerezve me ngjyrë ‘Black Lives Matter’.

Gjithashtu lojtarët e Manchester United, Paul Pogba e Marcus Rashford shtuan zërin e tyre ndaj protestave kundër racizmit.

Kampioni francez i botës Pogba tha se ndjente “zemërim, mëshirë, urrejtje, indinjatë, dhimbje e trishtim”.

Shoku i tij i skuadrës Marcus Rashford shkruante se “po përpiqem të reflektoj mbi një proces të gjerë që po ndodh në botë”.

Ndërsa pilotët e kampionatit Formula 1, Charles Leclerc, Lando Norris, Carlos Sainz, George Russell e Daniel Ricciardo publikuan një mesazh të përbashkët anti-racizëm në mediat sociale, pas atij të kampionit të botës Lewis Hamilton i cili kritikoi krerët e industrisë që nuk ishin shprehur mbi çështjen.

Skuadra e Hamilton, Mercedes tha në një deklaratë se “Jemi me Lewis”.

Ata shtonin: “Toleranca është parimi më elementar i skuadrës tonë teksa pasurohemi në të gjitha format nga diversiteti”.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel