Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi në një konferencë për shtyp se ka pranuar vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së të mandatuarit për formimin e qeverisë së re.
Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar nga kjo Gjykatë që të vlerësonte kushtetueshmërinë e vendimit të Thaçit për të mandatuar Avdullah Hotin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formimin e qeverisë. Gjykata i ka dhënë të drejtë vendimit të presidentit e Thaci, këtë vendim, e mirëpriti.
“Tani është hapur rruga për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Shpresoj se do të jetë kapitull i ri për stabilitet dhe zhvillim…”, u shpreh Thaçi.
Sipas tij, Kosova tani duhet të marrë dy hapa urgjentë: të vazhdojë kujdesin në përballjen me pandeminë, dhe që qeveria e re të prezantojë planin për rimëkëmbje ekonomike.Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në kuvend firmat për mbajtjen e seancës në të cilën pritet të votohet qeveria e re. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, bëri të ditur se ka kërkuar që seanca të zhvillohet të mërkurën në ora 11:00.
“Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”, ka deklaruar Gashi, i cili u shprehur i bindur se LDK-ja i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Top Channel