Ausilio “pa doreza” për merkaton, tregon objektivat e Interit dhe “djeg” Vidal e Cavanin

30/05/2020 00:51

Inter po bëhet gati për turin e forcës, që do të nisë më 13 qershor dhe pritet të përfundojë vetëm në fund të muajit gusht, kur synohet të mbyllin të gjithë aktivitetet e sezonit 2019-2020, të ndërprera për shkak të pandemisë.

Kohët e fundit ka pasur zëra të shumtë të merkatos, me Icardin që pritet të transferohet përfundimisht te Paris Saint Germain, ndërsa Drejtori Sportiv i zikaltërve ka sqaruar situatën sa i përket lëvizjeve në sulm.

“Momentalisht kemi 4 sulmues dhe me ta do të mbyllim këtë sezon. Flasim shpesh me Leonardon dhe po mundohemi të gjejmë gjuhën e përbashkët për transferimin e Icardit te PSG. Sa i përket Cavanit, për momentin ai nuk paraqet një mundësi dhe kemi të tjera objektiva. Lautaron duam ta mbajmë, por nuk mund ta bëjmë këtë, nëse Barcelona vendos t’i paguajë klauzolën dhe vetë sulmuesi pranon transferimin në Katalunjë. Werner është një futbollist i shkëlqyer, por nuk do të vijë te Interi. Na intereson një profil si Cunha, që po e ndjekim nga afër”, u shpreh Ausilio.

Edhe në mesfushë, emra të shumtë janë lakuar për të veshur fanellën zikaltër, por Ausilio ka “djegur” kilenin Arturo Vidal dhe ka “hapur derën” për një talent si Sandro Tonali, që kërkohet nga klube të shumta europiane.

“Vijojmë bisedimet me Bayernin për Perisiç, pasi kemi marrëdhënie të shkëlqyera edhe me lojtarin, edhe me klubin gjerman, ndaj besojmë te arritja e një marrëveshjeje në një moment të dytë. Nainggolan do të rikthehet dhe do të vlerësohet nga Conte gjatë periudhës së verës, por me shumë mundësi do të mbetet zikaltër. Vidal nuk do të vijë, pasi besojmë te emrat e rinj si Sensi e Barella, ndërsa kemi edhe një futbollist si Eriksen, që ka nevojë për vetëm pak kohë për përshtatje. Tonali ka aftësinë për të qenë pjesë e Interit, por nuk e dimë a është brenda parametrave tanë ekonomikë. Shpresoj që të gjejmë gjuhën e përbashkët”, tha drejtuesi zikaltër.

Top Channel