Produktet e prodhuara në Serbi janë rikthyer në tregun e Kosovës pasi Qeveria në detyrë e vendit zëvendësoi taksën 100 për qind të vendosur mbi to nga ekzekutivi i mëparshëm me masa reciproke më 1 prill të këtij viti.
Sipas Doganës së Kosovës, nga 1 prilli deri në 25 maj nga Serbia në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë 29 milionë euro, kryesisht produkte ushqimore dhe grurë. Drejtuesi një kompanie që filluar importin e disa produkteve nga Serbia, tha për REL se kanë sjellë kryesisht mallra që kanë çmim më të ulët, sesa në vendet e Bashkimit Evropian.
“Ka disa lehtësira për disa kategori që të furnizohemi prej Serbisë me çmime më të lira, sesa jemi furnizuar deri tani nga shtetet e tjera. Një nga produktet që në tregun e Serbisë është më i lirë, është vaji i produkteve ushqimore. Disa lloje që kemi importuar më herët, kemi filluar importin gradual të tyre në sasi të vogël”, ka thënë ai.
Të gjitha dërgesat nga Serbia vijnë më dokumentacion që i përmbahet vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për reciprocitet. Shtetet e Bashkuara sakaq e kanë kundërshtuar vendimin për të zëvendësuar taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe me masa reciprociteti. Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se Kosova “duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika janë në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe janë duke e bllokuar ekonominë e Kosovës”.
Top Channel