Një foto e presidentit Donald Trump duke luajtur golf në klubin e tij në Virxhinia, ka mjaftuar që të shpërthejnë sulmet, si në rrjetet sociale, ashtu dhe nga kundërshtarët politikë.
“Amerika shënon 100 mijë të vdekur e miliona të papunë, dhe presidenti çfarë bën? Luan golf”, tha Joe Biden, që pritet të jetë rivali i tij demokrat në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por Trump iu përgjigj kritikave me një fjali të vetme: “ Kisha që nga marsi që nuk bëja një gjuajtje, por për sistemin e korruptuar të Fake News, ky ishte një mëkat vdekjeprurës”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Biden e bëri paraqitjen e parë publike pas më shumë se dy muajsh i mbyllur në shtëpi për shkak të koronavirusit duke vendosur një kurorë me lule në një memorial të veteranëve të ushtrisë pranë shtëpisë së tij në Delauer. Trump nga ana tjetër, i etur për të demonstruar se vendi po kthehet në jetë edhe kur numri i vdekjeve nga pandemia ka arritur në 100’000, mori pjesë në një aktivitet në Varrezat Kombëtare në Arlington të Virxhinias dhe në një ngjarje tjetër në Fort McHenry në Baltimore.
Pas ceremonisë së vendosjes së kurorave me lule në varrezën kombëtare të Arlingtonit, Presidenti Trump mbajti një fjalim për nder të të rënëve në fortesën McHenry në Baltimore dhe vlerësoi kontributin e personelit ushtarak “në vijat e para të luftës sonë kundër këtij virusi të tmerrshëm.
Top Channel