Pandemia e Covid 19, shtoi numrin e përdoruesve të biçikletave, në vendin tonë, e kryesisht në kryeqytet. Por paralelisht, u rrit edhe hapësira e dedikuar për ta, korsi me të shumta në Tiranë.

Por teksa masat u lehtësuan dhe shoferët e makinave dolën në qarkullim, ka pasur edhe pakujdesi, ku ciklistë të moshave të ndryshme janë përfshirë në aksidente. Vetëm tre ditë më parë, në kryeqytet, janë aksidentuar dhe plagosur tre ciklistë.

Ndërsa këtë të hënë, në Fushë Krujë, mbeti i vdekur një 73 vjeçar i cili po udhëtonte me bicikletë, por që u përplas nga një makinë. Për ekspertin e sigurisë rrugore Fisnik Zicishti, pandemia e Covid 19, ka ndikuar negativisht tek drejtuesit e bicikletave dhe të automjeteve.

“Këto ditët e pandemisë edhe stresi është shtuar disi. Pra, që nga mbyllja në shtëpi, që nga mbyllja e bizneseve, jeta nuk është si më përpara, dhe kjo që e bën të stresuar drejtuesin, si të automjeteve apo ashtu edhe të biçikletave. Kemi drejtues bicikletash të cilët përdorin telefonin duke ecur me bicikletë, ose mbajnë qese. Në kodin rrugor përcaktohet qartë, të dyja duart duhet të jenë në timon, pra mos të jenë të zëna”.

Eksperti Aicishti thotë rrugët të cilat kanë korsi bicikletash, prodhojnë më pak aksidente të këtij lloji.

“Kemi aksidente në rrugët që nuk kanë korsi të dedikuara për biçikleta. Kemi një pakujdesi si të biçiklistëve që ecin në këtë rrugë, si të drejtuesve të automjeteve. Pra aty ku kemi një korsi biciklete, aksidenti eliminohet”.

Pakujdesia e çiklistëve, sipas ekspertit, vihet edhe në qarkullimin që ata bëjnë në rrugë që nuk janë të destinuara për bicikleta.

“Kemi shumë aksidente të shtuara, pra kemi biçiklistë që ecin edhe në autostrada, kemi nga ata që ecin në rrugët lidhëse siç është ajo e Fushë Krujës. Këto të bicikletës duhet të bëjnë shumë kujdes në lëvizjen e tyre në rrugë. Pra problem është edhe përtej Tiranës, nuk është vetëm në tiranë. Kemi aksidente edhe në rrugët e tjera, pra, jo vetëm në kryeqytet. Në kryeqytet është rregulluar infrastruktura e biçiklistëve, por kemi rrugë që nuk janë të destinuara për biçiklistët. Unë do sugjeroja që merre biçikletën në dorë në një segment të tillë rrugor, sesa të shkaktosh aksident”. /Andi Bora/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA