Delfinët sjellin ‘dhurata’ në breg, i mungon bashkëveprimi me njerëzit e larguar

23/05/2020 16:54

Delfinët e një gjiri të vogël në Australi kanë nisur të sjellin në breg sende të ndryshme në formë dhurate, pasi sipas banorëve, i mungon bashkëveprimi me njerëzit që janë larguar prej pandemisë së koronavirusit.

Njerëzit vinin rregullisht për të ushqyer apo përkëdhelur delfinët “gungaçë” në kafen Barnacles Cafe, në gjirin e Tin Can në Queensland, por prej disa javësh raportohet se vizitorët janë zhdukur prej epidemisë.

Stafi i barit bëri një postim në Facebook duke thënë: “Tufa jonë e delfinëve po sjell rregullisht dhurata në breg, duke treguar se sa shumë i ka marrë malli për vëmendjen dhe bashkëveprimin me publikun. Ata i ka marrë malli për të gjithë ju.

Mes dhuratave të sjella nga delfinët janë sfungjerë deti, shishe të veshura me guaska e molusqe, apo dhe copa koralesh.

Rezidentët thonë se delfinët kanë shfaqur dhe më parë sjellje të tilla, por kjo është shtuar mjaft gjatë epidemisë së koronavirusit.

Eksperti i sjelljes së kafshëve ujore Barry McGovern tha: “Asgjë nuk më çudit më me sjelljen e tyre. Ata bëjnë çdo gjë, përdorin mjete, kanë një mini-kulturë dhe thërrasin njëri-tjetrin me fishkëllima të ndryshme. Ka mundësi që t’i marrë malli për njerëzit si dhe për ushqimin që ata i sjellin gjatë lojës. Ata shpesh luajnë me sende, korale apo barëra duke i mbajtur me hundë. Kjo që po ndodh tani është ndoshta thjesht nga mërzia”.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA