Disa ditë më parë, lajmi se tre burra, kanë sulmuar me armë e granata një martenitet në Kabul të Afganistanit, tronditi mbarë opinionin botëror. Në atë sulm mbetën të vrarë 24 persona, midis tyre nëna, infermiere dhe të porsalindur. Mirëpo, një foshnjë e cila u qëllua dy herë në këmbë gjatë sulmit, fatmirësisht ka arritur të mbijetojë.
Raportohet se foshnja e mbijetuar, ka lindur tre orë para se sulmi të ndodhte. Megjithëse këmba e e djathtë e vogëlushes, ishte thuajse totalisht e copëtuar, fatmirësisht mjekët e operuan dhe arritën ta mbanin në jetë. Aktualisht e mitura ndodhet në spitalin për fëmijë, “Indira Ganthi”, në Kabul.
Nëna e foshnjës, Nazia, humbi jetën në atë sulm, por për të kujtuar gjithmonë atë, babai i vogëlushes, Raifullah, i vendosi të bijës emrin e nënës, Nazia.
“Ne bëmë gjithçka mundëm për Nazian, ndihemi optimistë se ajo mund të ecë kur të rritet. Por për të qëllosh një foshnjë tre orë pasi ka lindur, kjo është ç’njerëzore. Të gjithë jemi të tronditur”, u shpreh doktor Noor ul-Haq Yousafzai.
Ndërkaq, një grua pranoi të ushqejë vullnetarisht me gji 20 nga të porsalindurit që mbijetuan nga sulmi, pasi nënat e tyre u vranë apo u plagosën gjatë sulmit. Feroza Younis Omar, e cila është nëna e një fëmije 14 muajsh dhe punon në Ministrinë e Ekonomisë në Afganistan, po ndihmon të porsalindurit të rikuperohen
“Të gjithë ne jemi dëmtuar nga kriminelët që po shkatërrojnë popullsinë në Afganistan. Kjo që po bëj për këta fëmijë është shumë pak”, u shpreh Feroza.
Top Channel