Franca: E papranueshme që Sanofi t’i japë SHBA të parës, vaksinën e koronavirusit

14/05/2020 16:33
SHBA është e para në radhë për marrjen e vaksinës së prodhuar nga Sanofi, pasi është një nga financueset e para të kompanisë franceze, tha kreu i saj Paul Hudson

Një ministre e qeverisë franceze tha sot se është e papranueshme që grupi farmaceutik francez Sanofi t’i japë prioritet SHBA për vaksinën e koroanvirusit.

“Për ne do të ishte e papranueshme që t’i jepet prioritet një vendi apo një tjetër, me një pretekst që është vetëm financiar”, tha minsitrja e re e ekonomisë Agnes Pannier-Runacher në një intervistë me Sud Radio.

SHBA duket se është e para në radhë për marrjen e vaksinës së prodhuar nga Sanofi, pasi është një nga financueset e para të kompanisë franceze të kërkimit shkencor, tha kësaj jave kreu i saj Paul Hudson.

SHBA ka nisur partneritetin me kompaninë ne shkurt, prandaj “meqënëse ne rrezikuam për prodhimin e vaksinës, ne presim të marrim dozat e para,” tha Hudson.

Komentet e tij theksojnë konfliktin e kompanive multinacionale dhe qeverive në garën për krijimin e vaksinës kundër COVID-19.

Më shumë se 140 liderë botërorë dhe ekspertë kanë dërguar dje një letër të hapur për agjencitë e OKB, UNAIDS e Oxfam, duke bërë thirrje për një “vaksinë të popullit” që të jepët për të gjithë.

“Askush nuk duhet të lihet prapa në radhë për arsye se ku jetojnë apo sa para kanë,” tha në lidhje me çështjen presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Ekspertët e shëndetësisë kanë thënë se gara mund të lërë jashtë vende të tëra pasi nuk mund të paguajnë për dozat e vaksinës, duke i ekspozuar ndaj humbjeve masive të jetës.

Sanofi është bashkuar me korporatën rivale britanike GlaxoSmithKline në projektin e mbështetur nga SHBA, dhe thotë se mund të prodhojë 600 milionë doza në vit.

Ministrja franceze Pannier-Runacher tha se kontaktoi menjëherë me Sanofi pas komenteve të Hudson, dhe shtoi se ata pranuan që të japin vaksinën për të gjitha vendet, përfshirë dhe Francën.

FOTO GALERI
1/3
Sanofi është bashkuar me korporatën rivale britanike GlaxoSmithKline në projektin e mbështetur nga SHBA, dhe thotë se mund të prodhojë 600 milionë doza në vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA