Ditën e sotme i ftuar në emisionin Top Talk në Top Channel ishte i ftuar kryetari i komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi.

Kamberi e nisi bisedën me një bilanc sa i përket Koronavirusit në vendin e tij. Ai u shpreh se Bujanovci është një ndër vendet më pak të prekura nga CoVid-19.

Deri më tani në këtë komunë janë konfirmuar 4 të prekur të cilët asnjëri nuk ka qenë shqiptar, por të komunitetit rom dhe serbë.

Ai ka folur edhe në lidhje me planin e Serbisë që ka për ndarjen e Kosovës.

Denis Dyrnjaja: A ka ekzistuar një plan për ndryshimin e kufijve dhe a jeni ju si banor të Luginës së Preshevës të interesuar për t’u bashkuar me Kosovës dhe në çfarë mënyre mendoni se duhet të ndodhë?

Shaip Kamberi: Ne jemi në një përpjekjeje dhe një luftë politike prej viteve 1990 prej kohës ku ka zënë vend sistemi shumë partiak në Serbi, duke u angazhuar që në kuadër të respektimit të institucioneve t’i realizojmë të drejtat e Shqiptarëve.

Nga kjo distancë kohore, 30 vite, nuk jemi të kënaqur me ato që janë realizuar dhe me ato që janë premtuar, prandaj edhe frustrimet janë të shumta.

Situata ekonomike është e vështirë, largimi në masë sidomos i të rinjve shqiptar e rrezikon edhe bërthamën kombëtare.

Ideja për një bashkim me Kosovën duket si një ide shpëtimtare, megjithatë ne jemi të kujdesshëm se ideja është e mirë, por përmban më vete rreziqet e veta dhe ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë çfarë do ideje e cila nënkupton copëtimin e Luginës së Preshevës, ndarjen e saj në pjesë të cilat do ti takojnë Kosovës dhe pjesë që do të mbeten në Serbi.

Denis Dyrnjaja: Juve jeni duke thënë se ka një rezervë nga ana juaj dhe dyshim se mund të ketë një ndarje të Luginës së Preshevës. Ky është një plan i ri i shkëmbimit të territoreve, ndryshe nga ai që kishim dëgjuar dhe përfolur më përpara për marrjen e Luginës dhe dhënien e një pjesë të veriut të Kosovës në Mitrovicë?

Kamberi: Ky është një koncept që shqiptarët e duan. Përshembull që Lugina e Preshevës në tërësi me kufijtë e vitit 1912 të Perandorisë Osmane ti bashkohet Kosovës, por koncepti serb i dalë edhe në dokumente të qeverisë nënkupton diçka tjetër. Ata kanë shprehur gatishmërinë që Preshevën ta japin si komunë, por jo Medvegjën dhe Bujanovcin këtu ekziston rreziku.

Kemi pasur takime me subjektet politike në Kosovë, kemi marrë qëndrimet e tyre dhe minimumi i kërkesës tonë që pritet të nisin me Beogradin është që duhet të shtohet tema e Luginës së Preshevës. A do të shtohet ajo si reciprocitet në bazë të parimit të reciprocitetit apo si diçka tjetër duhet Kosova ta vlerësojë se kush është në radhë të parë interesi i saj vital.

Dyrnjaja: A është Thaçi pjesë e kësaj mënyrë për të bërë këmbim?

Kamberi: Presidenti Thaçi është për idenë që na ka thënë neve në takime që kemi pas dhe dëshirën e tij për bashkimin e Luginës së Preshevës, por gjithë kohën e ka përsërit që nuk do të japë asnjë centimetër të Kosovës.

 

Top Channel