Imami shqiptar në Amerikë, Gazmend Aga: Ju tregoj për Ramazanin në karantinë dhe historinë e bukur “The Three Amigos”

05/05/2020 17:20

Gazmend Aga është Imam i Komunitetit Shqiptaro Amerikan në Connecticut (AAMC) dhe përfaqësues i KMSH-së në SHBA. Ai është jo pak i njohur në SHBA pasi sëbashku me një prift dhe një rabin kanë formuar grupin “The Three Amigos”, (tre miqtë). Në një intervistë për Top Channel ai ka folur për komunitetin të cilin ai drejton, Ramazanin në kohën e CoVid-19, “The Three Amigos” si dhe për pjesën se nëse duhet të hapen objektet e kultit apo jo.

Mund të na flisni pak për Komuniteti Mysliman Shqiptaro Amerikan?

Gazmend Aga:

Komuniteti Mysliman Shqiptaro Amerikan, AAMC, është themeluar më shumë se 60 vite më parë në Waterbury, CT. Tashmë në këtë qytet ndodhen më shumë se 25 000 shqiptar dhe është një komunitet i integruar dhe tashmë shqiptarët renditen ndër komunitetet më të suksesshme në të gjitha sferat e jetës. Prej 40 vitesh në ditën e pavarësisë ngrihet flamuri shqiptar në bashkinë e qytetit. Festivali Shqiptar organizohet prej 15 vitesh. Xhamia është ndërtuar 50 vite më parë. Shkolla shqipe i shërben të gjithë komunitetit për të kultivuar te fëmijët dashurinë për gjuhën shqipe dhe mëmëdheun.

Si është muaji i Ramazanit gjatë Covid 19 në komunitetin tuaj në SHBA?

Gazmend Aga:

Kjo situatë nuk ka qenë e lehtë për asnjë sferë të jetës, përfshirë edhe atë komunitar. Xhamia përveç rolit të shërbimit shpirtëror, mundëson edhe takimin e shqiptarëve dhe organizimin e tyre për të ruajtur gjuhën, zakonet, vlerat etj. Muaji i Ramazanit është prej kohëve më të bukura të vitit për komunitetin tonë. Iftaret me të gjithë motrat dhe vëllezërit shqiptar të përkatësive të ndryshme fetare, faljet kolektive në xhami, organizime të dialogut ndërfetar, ndihma ndaj shtresave në nevojë janë veç disa prej gjërave të munguara këtë vit. Megjithatë, për atë që do të bëjë mirë, ka një mijë rrugë. Zoti i mundëson çdokujt që përpiqet të sjellë sadopak gëzim dhe shpresë në zemrat e njerëzve. Tashmë ne organizojmë takime më të shpeshta online si dhe përpiqemi të flasim individualisht me shqiptarët, sidomos me ata që janë të vetmuar, kryesisht për arsye karantinimi.

Ka shumë shqiptaro amerikanë të komunitetit tonë që janë mjekë, infermierë etj, të cilët janë në vijën e parë të përballjes. Ne i lutemi Zotit të mëshirojë viktimat, të shërojë të sëmurët e kësaj epidemie dhe të ruajë gjithë njerëzimin prej saj. Edhe këtu ka patur disa viktima dhe të sëmurë. Unë personalisht kam marrë pjesë në 5 shërbime funerali të viktimave nga Covid19. Ka një protokoll të rreptë dhe përveç familjarëve të afërm, të gjithë të tjerët përshëndesin familjen pa zbritur nga makina. Mendoj se ky është një nga çastet më të vështira të gjithë kësaj periudhe, të mos i japësh dot lamtumirën të dashurit tënd.

Doja të ju pyesja pak në lidhje me “The Three Amigos”. Një prift, një rabin dhe një imam, duket si një histori e bukur?

Aga:

Unë kam punuar disa vite me “Miqtë Shqiptar”; Haxhi Selim Muca, Monsignor Rrok Mirdita, Kryegjyshin Baba Mondi dhe Kryepeshkopin Anastas. Kam patur fatin të jem dëshmitar i një relate plot urtësi dhe frytdhënëse mes tyre. Unë e konsideroj veten nxënës të të parëve tanë që ditën të ruajnë me shumë finesë harmoninë ndërfetare në Shqipëri.

Jam përpjekur që atë miqësi ta rrezatoj kudo që kam shërbyer. Me Rabbi Eric Polokoff dhe Monsignor Joseph Donnelly njihemi prej vitit 2009, ndërsa si “The Three Amigos” kemi prej vitit 2019. E nisem me organizime në spitale, xhami, kishë dhe sinagogë. Tashmë shkojmë në universitete, shkolla, qendra kulturore etj. Rabini është i mençuri, prifti katolik është i miri, ndërsa shqiptari është simpatiku.

Bisedat tona i karakterizon sinqeriteti dhe buzëqeshja. Mendoj se nuk ka derë që nuk çilet nga sinqeriteti dhe dashuria. Fatkeqësisht akoma ka njerëz armiq të panjohurës. Antisemitizmi, ksenofobia, islamophobia dhe racizmi vazhdon. Ne përpiqemi të japim një tablo miqësie duke folur rreth besimeve tona. Nuk flasim veç për të përbashkëtat, por edhe nuancat që zbukurojnë çdo besim përkatës. Në fakt një nga frytet më të bukura të dialogut, janë pikërisht nuancat e reflektuara si vlera në të njëjtën shoqëri ku jetojmë. Vitin e kaluar në xhaminë tonë erdhën mbi 400 miq amerikanë, mbi 80% kishin ardhur për herë të parë në një xhami. Më 7 Maj “The Three Amigos” do të jenë live në youtube në një emision të drejtuar nga një gazetare e njohur në Connecticut. Ka shumë kërkesa për “The Three Amigos”. Mund t’ju them se kemi 3 aktivitete të planifikuara për 2021. Pothuajse në çdo aktivitet ka njerëz që na përqafojnë të përlotur. Dashuria dhe paqja janë thesare shpirtërorë të cilat i kërkon zemra e çdo njeriu.

Në qytetin e Waterbury “The Three Amigos” janë edhe pjesë e një grupi intelektualësh me klerikë, gazetarë, doktorë, avokatë dhe drejtues të shoqërisë civile me të cilët një herë në muaj mblidhemi dhe diskutojmë problemet e qytetit dhe përpiqemi të ofrojmë kontributin tonë.

Çfarë mendimi keni për çështjen e rihapjes së objekteve të kultit?

Në Connecticut ka një limitim të pjesëmarrësve edhe në aktivitetet fetare. Megjithatë pothuajse të gjithë komunitetet fetare vendosën të mbyllin aktivitetin deri në një vendim të dytë. Në rast të një rihapjeje të aktiviteteve në përgjithësi, edhe ne do të rishqyrtojmë vendimin tonë sipas udhëzimeve të guvernatorit të Connecticutit. Guvernatori i Connecticut’it ka qenë shumë i kujdesshëm në gjuhën e përdorur sidomos në lidhje me objektet e kultit. Aktualisht, nuk ka ndonjë shenjë që objektet e kultit mund të rinisin aktivitetin. Të gjitha objektet e kultit në Connecticut janë të mbyllura për besimtarët.

Po në Shqipëri?

Komunitetet fetare në Shqipëri dhanë një shembull të mirë duke marrë masat e duhura menjëherë pas situatës së krijuar. Një jetë njeriu vlen sa një botë sipas të tre besimeve fetare. Nëse arsyet që çuan në limitimin e aktivitete fetare janë akoma të vlefshme, atëherë edhe arsyetimi fetar për ti mbajtur të mbyllura vazhdon. Nëse institucionet përkatëse, pasi shqyrtojnë situatën, vendosin se tashmë Shqipërisë nuk i nevojitet më një karantinim i atyre përmasave, atëherë edhe Komunitetet fetare, pas konsultimeve mes vete, me specialist te mjekësisë dhe me institucione simotra, po në ato përmasa mund të vendosin të rishqyrtojnë aktivizimin e objekteve të kultit. Pra nëse do të lejohen 50 veta të mblidhen në një aktivitet social, atëherë po 50 mund të lejohen për në objektet e kultit. Jam përpjekur ta përmend edhe në intervista të tjera se në Shqipëri komunitetet fetare dhe anëtarët e tyre treguan një pjekuri institucionale dhe qytetare duke u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje të madhe për të përballuar këtë situatë. Duhet shumë kujdes në terminologjinë e përdorur për limitimin e aktivitetit fetar. Historia jonë e ripërqafimit me faltoren është më pak se 30 vite.

A duhet ti kthehemi jetës normale apo jo, kjo është pyetje e vështirë me përgjegjësi të madhe. Besoj se mjekët duhet të jenë më aktivë dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes. Në vende si Shqipëria ku ka mijëra familje të varfra, përveç aspektit shëndetësor duhen marrë në konsideratë edhe plagë të tjera të mëdha që mund të vijnë prej karantinimit.

Duke qenë se jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, të rikthehemi edhe një herë aty. Cili është synimi i agjërimit në këtë muaj?

Agjërimi në Muajin e Ramazanit konsiston në të privuarit nga e ngrëna, e pira dhe marrëdhëniet seksuale nga agimi në perëndim. Kjo është pjesa më e lehtë për besimtarin. Synimi i vërtetë i agjërimit është ta afrojë besimtarin më shumë me Zotin dhe njerëzit. Profeti Muhamed a.s. i mëson njerëzimit se “Ai që nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe të punuarit me gënjeshtër, Zoti nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga të ngrënët dhe të pirët.” Në shumë adhurime fryti i tyre reflektohet në njerzëllikun tonë. Të agjërojmë duke kujtuar njeriun në nevojë, duke biseduar me dikë gjatë kësaj situate të vështirë, duke i mbajtur sytë larg shikimit me xhelozi, duke qëndruar larg thashethemeve, duke e mbushur zemrën me dashuri për njerëzit, duke qenë të kënaqur me caktimin e Zotit dhe duke kujtuar të parët tanë që punuan për vendin, fenë dhe unitetin e popullit tonë. Të agjërojmë duke u bërë njerëz më të mirë.

Si e ndryshon njeriun agjërimi?

Ai që njeh dobësitë e veta, njeh madhështinë e Zotit, ai që kupton përkohshmërinë e vet, kupton përjetësinë e Zotit, ai që kupton dobësinë e vet, kupton fuqinë e pakufishme të Zotit. Agjërimi shërben pikërisht në njohjen e vetvetes. Në një kohë ku njeriu veç qahet pavarësisht të mirave që ka, ku i forti s’ka mëshirë për të dobëtin, ku njeriu s’po njeh më as nënë, as babë, as mik, as atdhe, as fe, me anë të agjërimit i kujton vetes së tij robërinë, pamjaftueshmërinë dhe kufijtë e vet. Në fakt kjo është edhe pikënisja e lirisë. Sa më shumë të ngrihet niveli shpirtëror dhe intelektual i njeriut, aq më modest, i butë, i urtë dhe i mëshirshëm bëhet. Porsi pema sa më shumë fruta, aq më shumë i ulen degët. Ky është muaji i leximit, muaji i adhurimit, i bujarisë dhe faljes.

/Ariglon Pali/Top Channel/

FOTO GALERI
1/16

Top Channel