Francë, Covid-19 që në dhjetor/ Rasti i parë është regjistruar vitin e kaluar

05/05/2020 15:56

Një pacient i diagnostikuar me pneumoni, më 27 dhjetor pranë Parisit, ka pasur në fakt koronavirus, tha mjeku i tij.

Dr. Yves Cohen i tha medias fraceze se pështyma e marrë atëherë nga ai, është testuar së fundmi dhe ka rezultuar pozitive për koronavirus. Pacienti, një burrë rreth 50 vjeç, i cili është shëruar plotësisht, tha se nuk e ka idenë se ku mund ta ketë marrë virusin, pasi nuk ka qenë në ndonjë zonë të infektuar.

Lajmi do të thotë se koronavirusi mund të ketë arritur në Francë një muaj më herët seç është menduar. Dr Cohen, shef i urgjencës në spitalet Avicenne dhe Zhan Verdier afër Parisit, tha se pacienti ishte një 43-vjeçar nga Bobinji, në verilindje të Parisit. Ai manifestonte ato që më vonë u njohën si simptoma të koronavirusit, përfshirë kollë të thatë, ethe dhe vështirësi në frymëmarrje.

Ai u shtrua në spital më 27 dhjetor, katër ditë para se Organizata Botërore e Shëndetësisë, zyra në Kinë, të informohej për rastet e pneumonisë nga një shkak i panjohur që ishin pikasur në qytetin kinez të Wuhanit. Vetë pacienti francez ka thënë se ai nuk ka udhëtuar para se të sëmurej. Dr Cohen thotë se edhe fëmijët e pacientit ishin sëmurë por bashkëshortja nuk kishte shfaqur simptoma.

Por, ai edhe tha se bashkëshortja e pacientit punonte në një supermarket afër aeroportit Charles de Gaulle dhe mund të kishte patur kontakte me njerëz që ishin kthyer nga Kina. Sipas konfirmimeve të deritashme, tre rastet e para me koronavirus në Francë janë regjistruar më 24 janar. Prej tyre, dy kanë qenë në qytetin Wuhan të Kinës – ku koronavirusi është zbuluar për herë të parë – ndërsa i treti ka qenë një anëtar i ngushtë i familjes.

Transmetimi i parë nga njeriu te njeriu në Evropë deri më tani mendohet të ketë qenë një gjerman që ishte infektuar nga një koleg kinez që kishte vizituar Gjermaninë më 19 deri 22 janar. Edhe SHBA së fundmi ka rishikuar kalendarin e saj të koronavirusit. Një ekzaminim postmortor në Kaliforni tregoi se vdekja e parë me koronavirus në SHBA ishte thuajse një muaj më herët nga sa mendohet.

Top Channel