Libri i parë- Banda e fëmijëve rrëfen peripecitë e ngjitjes së një bande – një grupi zjarri të lidhur me Kamorrën – dhe kreun e tyre, djaloshi Nikolas Fiorilo. Të strukur çative të qytetit, mësojnë të qwllojnë me pistoleta gjysmautomatike dhe AK-47 duke marrë shënjestër paraboliket dhe antenat e zakonshme, pastaj derdhen rrugëve për të mbjellë tmerr. Pak e nga pak shtien në dorë kontrollin e lagjeve, duke ua zhvatur bandave kundërshtare, duke lidhur aleanca me bosë të vjetër që po u perëndon ylli. Kjo bandë i përngjan barkës së peshkimit që vjen nga deti, ato lloj barkash që gjuajnë peshk duke i gënjyer me dritë. Dhe njwlloj si në peshkimin me tërheqje, rrjeta peshkon njerëz për t’u vrarë. Këtu rrëfehet për fëmijë që lëvrijnë gjallërisht si peshqit, për adoleshenca “të gënjyera nga drita” dhe për të vdekur që prodhojnë të vdekur.
Libri i dytë – Puthje mizore është pjesa e dytë e duologjisë që ndjek romanin e parë të Savionos. Këtu vulosen heshtje, sanksionohen aleanca, shpallet pafajësi dhe jepen dënime. Puthje të pashlyeshme në buzë, për të farkëtuar një shpirt me shpirt, fati yt është fati im dhe për të gjithë fati është ligji i detit, ku nga gjuetar kthehesh sakaq në pre. Banda e Fëmijëve ka shtënë në dorë pushtetin, kontrollon sheshet e shpërndarjes së drogës në Forcella, por e vetme nuk mund të komandojë dot. Për të çrrënjosur familjet e Kamorrës dhe për të pasur në zotërim qendrën historike, Nikolas Marazhai duhet të krijojë një konfederatë me O’Dajtin dhe Bandën e Flokëgjatëve. Për të mos u shndërruar nga grabitqarë në pre, Fëmijët duhet të jenë të bashkuar si një grusht i vetëm. Por kjo nuk është aspak e lehtë. Çdo anëtar bande, në të vërtetë, rend ethshëm pas misionit të tij: Nikolasi dëshiron të bëhet mbret i qytetit, por ka edhe hakun e të vëllait për të marrë: Dragoit i rëndon mbi supe një mbiemër i rëndësishëm, fort e mundimshme ta mbash lart me nder. Dhomçi, i ndërkryer nga dhembja, ka dalë nga grupi i zjarrit dhe tani kërkon të eliminojë Marazhanë: Biskotushit i duhet të ruajë një sekret për të shpëtuar jetën… Mes allishverisheve, tradhtive, hakmarrjeve dhe shantazheve, familjet e vjetra i mbështesin për të mbijetuar ose orvaten t’u vënë shkopinj në rrota, duke mbjelle përçarje bash në gjirin e bandës. Mos pritet të shpërthejë një luftë e re? Vazhdon cikli Banda e Fëmijëve dhe Roberto Saviano kthehet të na rrëfejë për djemtë e ditëve tona, mizorë, të lindur në një tokë vrasësish e të vrarësh, të zhgënjyer nga premtimet e një bote që asgjë s’i fal, aq më pak atyre. Të zijosur nga uria dhe sypatrembur nga mllefi, ata janë të gatshëm të japin dhe të marrin puthje që lënë një shije gjaku.
Mbi autorin
Roberto Saviano lindi në Napoli në vitin 1979. Ai është një autor i bestsellerit ndërkombëtar Gomorra (Mondadori, 2006). Ideator, autor dhe skenarist i filmit me të njëjtin titull (Grand Prix du Jury në Kanë 2008) dhe i Gomorra – Seriali, i shpërndarë në mëse 150 vende. Me Feltrinelli ka botuar më 2011, ‘Eja me mua’ dhe më 2013 ‘ZeroZeroZero’. Nga viti 2006 jeton i shoqëruar, në masa të rrepta sigurie, pas kërcënimeve të marra prej klaneve që ka denoncuar.
Top Channel