Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën Shtetet e Bashkuara nuk kanë dijeni se ku ndodhet udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe se po i vëzhgojnë me kujdes raportet për shëndetin e tij.
Ai tha se në vend ekziston një rrezik i vërtetë i urisë, për shkak të krizës botërore të koronavirusit.
Mediat e Koresë së Veriut nuk kanë njoftuar mbi vendndodhjen e Kim Jong Un-it që nga data 11 prill, kur ai kryesoi një takim dhe kjo ka provokuar hamendje të shumta për shëndetin e tij si dhe shqetësime se paqëndrueshmëria në shtetin me armë bërthamore mund të prekë vendet e tjera të Azisë si dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ne nuk e kemi parë. Nuk kemi asnjë informacion që mund të raportojmë sot. Po e ndjekim situatën nga afër,” tha zoti Pompeo për Fox News, i pyetur për njoftimet kontradiktore lidhur me shëndetin e udhëheqësit koreanoverior.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë gjithashtu situatën më të gjerë në Korenë e Veriut, duke pasur parasysh rrezikun që paraqet koronavirusi.
“Ekziston një rrezik i vërtetë se në Korenë e Veriut do të ketë uri, mungesa ushqimore,” tha ai. Ne po i vëzhgojmë të gjitha këto nga afër, pasi ato kanë një ndikim real në misionin që i kemi vënë vetes, denuklearizimin e Koresë së Veriut.”
Presidenti Donald Trump u takua me Kim Jong Un-in tri herë në vitet 2018 dhe 2019, në përpjekje për ta bindur atë të hiqte dorë nga armët bërthamore, që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara. Ndërsa bisedimet kanë ngecur, Presidenti Trump ka vazhduar ta quajë Kim Jogn Un-in një mik.
Zoti Pompeo nuk dha hollësi mbi rrezikun e urisë në Korenë e Veriut, por një delegacion ekonomik i Phenianit ishte në Pekin këtë javë për të diskutuar mbi furnizimet ushqimore dhe çështjet e tregtisë, ndërkohë që shpërthimi i koronavirusit ka shkaktuar çrregullime serioze në gjendjen ushqimore të vendit, sipas personave me njohuri për këtë çështje.
Disa zyrtarët në Korenë e Jugut dhe në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Kim
Jong Un mund të jetë duke qëndruar në një vendpushim bregdetar për të shmangur ekspozimin ndaj koronavirusit dhe kanë shprehur skepticizëm për raportet e medias se ai ka një sëmundje të rëndë.
Ata paralajmërojnë megjithatë se shëndeti dhe vendndodhja e Kim Jong Un-it janë sekrete që ruhen me kujdes nga regjimi dhe se në Korenë e Veriut është e vështirë të nxirren informacione të besueshme./VOA/
Top Channel