24 vjet nga ajo mesditë në Paris ku në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s 23 prilli u shpall zyrtarisht si Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit, për herë të parë duket se bota do ta kremtojë ndryshe një prej ditëve më të bukura që na lidh me vazhdimësinë.

COVID-19 prej dy muajsh e ka futur industrinë e librit në një tjetër qasje. Festivale letrare, Panaire librash, biblioteka, librari, promovime librash, takime me autorë janë anuluar, e institucionet, agjentët, botuesit janë duke përgatitur strategji për të shpëtuar, një industri që është po aq e domosdoshme në jetën e njerëzimit. Por, nga ana tjetër, kohët e izolimit kanë ridimensionuar rolin e librit si një mjet i rëndësishëm për të zotëruar e përsosur kohën. Numri i shitjeve në platformat online ka treguar një rritje të ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e leximit. Libri është kthyer në mikun më të mirë, të këtij kthimi të papritur që pësoi bota.

Sot është një ditë ku të gjithë duhet të marrim një libër në duar. Kjo është një ditë e shpallur nga UNESCO-ja për të nxitur leximin, industrinë e botimit dhe pronësinë intelektuale përmes së drejtës së autorit. Ideja për të festuar këtë ditë ka lindur për herë të parë në Katalonjë, Spanjë, me propozimin e shkrimtarit Vincente Cleval Andrés në vitin 1923 dhe u miratua nga mbreti Alfons XIII tre vjet më vonë, me një dekret që shpallte Ditën e Librit në të gjithë vendin. Por, u desh të kalonte mjaft kohë, deri në vitin 1996, kur UNESCO-ja e shpalli zyrtarisht si Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit. U zgjodh pikërisht 23 prilli, sepse është data kur kanë vdekur në vitin 1616 tre shkrimtarë të konsideruar shtylla të kulturës universale: Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Garcilaso de La Vega.

Prej asaj kohe UNESCO-ja dhe shoqata të mëdha kulturore ndërkombëtare, përfaqësuese të shkrimtarëve, botuesve, librarëve dhe të bibliotekave zgjedhin një kryeqytet botëror të librit për të nxitur leximin gjatë gjithë atij viti përmes veprimtarish të shumta. Kryeqyteti i librit për vitin 2020 është Kuala Lumpur (Malajzi), qytet që është dalluar për përpjekje të shumta në fushën shoqërore që leximi dhe kultura të jenë të arritshme për të gjithë popullsinë. Për ne shqiptarët është dita e Gjon Buzukut, e Jeronim De Radës, e Naim Frashërit, e Dora d’Istrias, e Gjegj Fishtës, e Asdrenit, e Migjenit! E shumë e shumë të tjerëve, poetë e shkrimtarë të shquar, që nuk jetojnë më sot, por që ngritën kështjellën e letërsisë dhe të gjuhës shqipe. E të gjithë atyre që nuk reshtin së shkruari dhe mbajnë gjallë letërsinë tonë kombëtare. Jemi në kohë fatkeqësie natyrore e ndoshta do të mundemi të shohim se si do ta festojë këtë ditë të shënuar të librit qyteti i Kuala Lumpurit, përmes reportazheve mediatike. Ndoshta edhe atje jeta është vështirësuar nga karantina, nga virusi i rëndë.

Por, për fatin e mirë të të gjithë njerëzve në botë, libri është një mik besnik dhe i gjendshëm pranë nesh në këtë kohë. Nëpërmjet tij, ne mund të udhëtojmë virtualisht duke na shoqëruar fjalët e shkrimtarëve të mëdhenj të botës, po edhe të shkrimtarëve tanë të vjetër e të rinj, që na mundësojnë të njohim, të duam e të çmojmë shumëllojshmërinë e botës ku jetojmë, por edhe të vetë vendit tonë. Libri na ndihmon të thellohemi brenda vetes, të njohim të tjerët, aq më tepër në këto periudha kur duket sikur na dobësohet besimi dhe energjia në të ardhmen. Kjo ditë është një ditë-simbol për të nderuar letërsinë dhe librin, për të nxitur këdo, në veçanti të rinjtë, të zbulojnë kënaqësinë e leximit dhe të respektojnë kontributin e madh të krijuesve në përparimin shoqëror dhe kulturor.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ju fton të gjithëve që të na bashkoheni në “Festën e librit në shtëpi”. Secili prej nesh mund të hedhë një video, një foto në faqen e Qendrës ose në rrjetet sociale me kopertinat e librave që lexon ose që i rekomandon. Mund të krijoni takime virtuale ku të diskutoni disa minuta rreth librit dhe ideve të ndryshme për leximin, për autorët, për ato që do të dëshironim të shihnim në libraritë. Për autorët shqiptarë dhe të huaj, për klasikët dhe për ata që lëvrojnë çdo ditë letërsinë.

Le të përshëndetemi, sot, pra, me një libër në dorë, le ta shfrytëzojmë këtë kohë të kufizuar fizikisht për të zgjeruar sa më shumë kufijtë tanë mendorë, që nesër të jemi një shoqëri gjithnjë e më e lexuar, gjithnjë e më e kulturuar.

Ky është dhe Misioni i Qendrës sonë të Librit, mision i të gjithë njerëzve të kulturës në botë: përmes librit, përmes leximit, përmes përhapjes së kulturës: për një shoqëri njerëzore gjithnjë e më të kulturuar!

QKLL-ja vjen sot me një program të ngjeshur aktivitetesh që kanë në fokus leximin. Në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë të Universitetit të Tiranës, dita e sotme do të jetë një maratonë leximi, e cila ka në thelb një fushatë të nisur herët nga QKLL-ja mbi rëndësinë e leximit. Ju ftojmë të na ndiqni në faqet tona dhe ta ktheni ditën e librit në një festë në shtëpitë tuaja duke hapur një libër.

– ALDA BARDHYLI, drejtoreshë e QKLL-së

#DitaBotëroreeLibrit

#QKLL

#MinistriaeKulturës

#Autorëshqiptarë

23 Prill, Dita Botërore e Librit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA