Në mesin e rreth 820 mijë të infektuarve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara ishte edhe një shqiptar 28 vjeçar nga Nju Jorku.
Majlind Aliju kreu testin për koronavirus dhe doli pozitiv. Tani ai është në gjendje të mirë shëndetësore. Në një bisedë me kolegun Burim Goxhuli, Aliju rrëfen për Zërin e Amerikës rrugëtimin dhe sfidat që i pati në luftën me virusin që është përhapur në mbarë botën.
H: Rrëfimi i shqiptarit 28 vjeçar që i mbijetoi koronavirusit
Para rreth një muaji, shqiptari 28 vjeçar që jeton në Nju Jork, Majlind Aliu, përjetoi rrjedhje hundësh dhe ethe.
Por disa ore me vonë, simptomat iu përkeqeusan.
“U zgjova në ora katër. U ngrita nga shtrati dhe shkova në banjo. Shtëpia ishte në errësirë. Më vinte për të vjell, filloi barku dhe më ra të fikët. Pastaj janë zgjuar familja duke bërtitur Majlind, Majlind, Majlind dhe më hodhën ujë në fytyrë. Isha i frikësuar sepse më ra të fikët dhe për një moment harrova gjithçka. Pas dy minutash gjithçka mu duk normale”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Menjeherë familja e Alijut telefonoi urgjencën. Pasi i bën një kontroll, doktorët i sugjeruan atij të qëndrojë në shtëpi pasi ai dyshohej të ishte prekur nga koronavirusi.
Pak ditë më vonë ai arriti të sigurojë një test për COVID-19.
“Ishte shumë ndryshe. Në fillim të kontrollojnë frymëmarrjen. Por pastaj kishin diçka të gjatë, e hapin dhe më paralajmëruan se do të më shkaktojë dhimbje. Jo që dhemb shumë por është një ndjenjë ndryshe, nuk kam provuar kurrë diçka si ky test. Më hapën hundën dhe e futën me shpejtësi shumë thellë në të dy vrimat e hundës nga pesë sekonda”, thotë Aliju ndërsa shpjegon procesin e testit.
Aliju punon për një kompani që menaxhon ndërtesa komerciale dhe banimi në Nju Jork. Por dyshimet se mund të kishte koronavirus e detyruan ta lëjë punën dhe të mbyllet në shtëpi.
“Më thanë se do të të japim një letër, sepse në punë nuk mund të shkosh një javë nga kjo ditë dhe pastaj nëse testi vjen pozitiv do të të japim një dokument tjetër që shkruan se për dy javë duhet të qëndrosh në karantinë”.
“Më thanë se rezultatet publikohen pas dy ditësh ose pas një jave, nuk e dinin sigurtë. Për rastin tim u publikuan pas tre ditësh. I hapa përmes një aplikacioni në telefon dhe e pashë këtu që thoshte se unë jam pozitiv”.
Pasi kuptoi rezultatin, filloi periudha 14 ditore e izolimit.
“Edhe kur je në shtëpi duhet të përdorësh dorezat dhe maskën që të mos infektosh dikë tjetër. Barna nuk më dhanë sepse nuk kisha simtpoma nuk kam pasur, vetëm dy ditë kisha rrjedhje hundësh dhe pak ethe. Unë thash se i kam 28 vjet jam i ri, vetëm po pijë ujë po ha fruta. Asnjë ilaç nuk kam marrë nga dita kur më ra të fikët. ” “Nëse më duhej diçka nga frigoriferi i dërgoja mesazh vëllait nëse mund të ma sjell, ta lë tek dera, ai të shkonte dhe pastaj prisja pesë minuta, e hapja derën kapjka gjërat dhe mbyllja derën që të rrija në izolim”, thotë ai.
Aliju duhej të kujdesej që të mos infektonte familjarët e tij. Shqetësimin më të madh e kishte për gjyshen 85 vjeçare.
“Për prindërit nuk jam frikësuar shumë. Thoja se janë nga 50 vjeç dhe janë të shëndetshëm. Edhe gjyshen e kam të shëndetshme por kur je 85 vjeçare normal që frikësohesh prandaj ajo nuk kam dashur të jetë afër meje dhe nuk e kam takuar për dy javë”, vazhdon rrëfimin e tij Majlind Aliju.
Pasioni që Aliju ka për muzikën ia lehtësoi periudhën e izolimit dhe e ndihmoi në përballjen e frikës së virusit.
“Për muzikantët izolimi nuk është i vështirë sepse ne edhe ashtu qëndrojmë të izoluar gjithmonë, duke ndenjur gjithë javën në një vend duke punuar. Prtandaj për mua këto 14 ditët në karantinë nuk ishin shumë të vështira. Unë hapa llaptopin dhe fillova punën”, thotë ai.
Pasi përfundoi periudhën në izolim, Aliju iu kthye përditshmërisë. Por është vështirë të bësh jetë normale në epiqendrën e pandemisë thotë ai.
“Unë veç jam duke punuar dhe jetuar normalisht në një vend që nuk është normal”, thotë Aliju.
Për momentin. Aliju është duke u përpjekur të bëj ritestimin që të sigurohet se nuk është i infektuar.
Aliju po kërkon rezultat ndryshe nga testi i parë, që të sigurohet se është shëndosh por njëherësh të luftojë paragjykimet me të cilat ka filluar të përballet.
“T’u them të drejtën unë nuk kam pasur dëshirë të tregojë që e kam virusin, jo për mua por për familjen. Sepse dikush e merr koronavirusin sikur të jetë Sida. Nuk është aq keq por stigma është e njëjtë. Ju kam treguar disa kolegëve në punë se jam me koronavisur sepse më pyetën ku ishte për dy javë. U tregova drejt sepse nuk dua të gënjej. U thash se kam pasur koronavirus dhe tani jam mirë dhe i kam vërejtur në fytyrë se janë frikësuar pak. Për zotin shoqëria është ndarë në dysh, disa e kuptojnë që unë jam normal, por disa të tjerë po frikësohen shumë”, thotë Aliju.
Shtetet e Bashkuara kanë deri tani numrin më të madh në botë të rasteve të konfirmuara me koronavirus, rreth 820,000 të infektuar dhe rreth 45 mijë të vdekur. Rreth gjysma e tyre janë identifikuar vetëm në shtetin e Nju Jorkut./VOA/
Top Channel