Mid’hat Frashëri në librarinë e tij

T’u dogj shtëpia njëherë? Ke për ta bërë prapë. Edhe një here zjarri ta bëri hi, ti përsëri do ta ngresh. Tërmeti ta bëri gërmadhë, ti do ta ndreqësh rishtazi…

Njëqind here të ma marrë ujët ledhin, njëqind herë jam I shtrënguar ta ngreh. Dyqind here të ma djegë kashtoren zjarri, dyqind herë jam i shtrënguar që ta thur.
*
Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e njerëzve e të gjithë atyre që së bashku formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdo kush të sakrifikojë pesë minuta në njëzetekatërorë dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij, ç’shërbim ka bërë për Shqipërinë dhe ç’të mire mund t’I bëjë kësaj shoqërie, që e quajmë komb.
*
Njerëzit e një kombi janë solidarë. E mira dhe lumturia jote, janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më nderon edhe mua dhe turpi yt më nxin edhe faqen time.
*
Mësoni të kurseni kohën, mësoni mirë përdorimin e kësaj gjëje të vlefshme, që i thonë kohë… harrojmë se ditët tona janë të matura dhe se gërshëra e shtrigës kohë është gjithnjë gati të presë fillin e gjëllimit.
*
Nuk bëhet gjësendi në botë me smirë dhe urrejtje. Gjithë sa na sheh syri dhe na pëlqen, çdo send i mirë dhe i këndshëm, bëhet me dashuri. Shpirti, zemra, mendja duhen ushqyer me dashuri, me dhembshuri.
*
Do të ishte mirë sikur të mundnim të zgjonim në disa qarke një jetë intelektuale, një rrojtje me ide të reja, një jetë mendore. Le të përpiqemi t’i prapsim pak shqiptarët nga jeta politike e kafeneve, t’i shtyjmë në studim dhe në merak për çdo send, që i përket Shqipërisë dhe shqiptarizmës. Sepse, po qe se nuk e zgjuam dot një kult, një adhurim për çdo send që i përket kombit dhe tokës sonë, nuk mund të kemi as shqiptarë as Shqipëri.
*
Fatkeqësia e njerëzisë vjen nga mungimi i vullnetit. Ai ndalon perfeksionimin moral dhe s’nalë të korrigjojmë të metat tona…Ky përtim moral e mban lidhur njeriun me të metat, fajet. Shumë herë njeriu, duke rrëkëllyer poshtë, dëshiron të mbyt një atë zë që vjen së thelli…
*
Është një fatkeqësi që njeriu ka pak ambicie dhe shumë kotësi. Mjerisht gjejmë te shqiptari edhe një kotësi të marrë: nuk sheh veçse veten e tij, madhërinë, fuqinë e rremë të tij. Kotësia e ngurr zemrën, e ftoh shpirtin, e bën njeriun të ashpër dhe të egër, e largon nga shoqëria.
*
Një varr nuk mbulon kurdoherë një njeri të vdekur. Shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore fillon, kur mbaron fryma. S’ka të bëjë zhdukja e trupit, nëqoftë se ideja rron, kurajo ide ngjall një mijë shpresa dhe entuziazëm tek të tjerët? Dhe bash këto janë jetë e vërtetë.
*
Dashuria është kondita e jetës. Pa atë s’ka rrojtje. Po të mos ekzistojë dashuria, shkatërrohet lidhka mes gjymtyrëve të familjes e të njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka as shpresë dhe nuk kryhet asnjë vepër. Entuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë e të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilat e mëngjesit, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit.
*
Është çudi me popujt; ndonjëherë i pllakos gjumi dhe dëshpërimi. Lypset shartuar një shpirt i ri dhe një ideal. Për të vetëthënët intelektualët tanë ka një fushë veprimi të gjerë. Atje ku shajnë dhe poshtërojnë njëri-tjetrin me një egoizëm të kotë, do të jetë shumë mirë të bëhen apostuj të përparimit midis popullit.
*
ALTRUIZMI, m’e madhja e uratave, që mund t’i bëhet një shtëpie, një familjeje, një kombi, është të shkuarit mirë: po s’pati shkuar jetë mirë, një dashuri rreth vatrës, atë shtëpi e merr lumi. Grindja dhe zihja e shuajnë shumë më shpejt se zjarri e se vdekja. Për të pasur rrojtjen e ëmbël në gji të një familjeje dhe të një shoqërie, duhet që çdo njeri të bëjë pak theror nga dëshirat e tij, të heqë pak dorë nga egoizmi, të ndjejë fajet e tjetrit e të kuptojë fajet e tij. Altruizmi na këshillon që më parë të mendojmë tjetrin, të shikojmë të mirën e tij, të ruajmë të drejtat e shokut tonë, me një fjalë, altruizmi na thotë që çdo punë ta gjykojmë pas interesit të përgjithshëm dhe jo vetëm pas interesit tonë. Altruizmi është ajo lëndë, mund të themi, që lidh njerëzit e një kombi, si gëlqerja që lidh gurët e një muri.
*
Lufta që do të kemi, luftë e përditshme, edhe më tepër akoma, e ç’do orëshme, nuk është një përleshje me pushkë dhe me thikë, por është një përpjekje me dinjitet dhe me vullnet, mbase më e vështirë se e para, sepse kjo betejë bëhet nga vetvetja jonë kundra vetes sonë. Për një popull fisnik, sa më e rëndë të jetë lufta, aq më shumë i ka hije.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA