Barcelonë, fund i viteve ‘50. Daniel Sempere nuk është më djali që kemi njohur mes tuneleve të pafundme të Varrezës së Librave të Harruar, në kërkim të librit që do t’i ndryshonte jetën. Misteri i vdekjes së nënës së tij, Izabelës, ka hapur një humnerë dhe i ka trazuar shpirtin, një humnerë nga e cila gruaja e tij, Bea, dhe miku besnik, Fermini, po përpiqen ta shpëtojnë.

Pikërisht kur Danieli beson se është një hap larg zgjidhjes së enigmës, një komplot edhe më i errët, edhe më misterioz nga sa mund ta imagjinonte, shtrihet dhe përfshin edhe atë. Një komplot që zë fill në zyrat e Regjimit. Dhe në këtë çast shfaqet Alisia Grisi, një shpirt i dalë nga hijet e luftës, që do ta çojë Danielin në zemrën e errësirës për të zbuluar historinë e fshehtë të familjes, edhe pse çmimi për t’u paguar do të jetë shumë i lartë.

“Labirinti i Shpirtrave” është një roman pasionant, plot intriga dhe aventura. Përmes këtyre faqeve do të zbulojmë finalen madhështore të sagës, që ka filluar me Hijen e erës, e cila arrin këtu kulmin e forcës dhe njëkohësisht i ngre një himn madhështor botës së librave, artit të rrëfimit dhe lidhjes magjike midis letërsisë dhe jetës.

Dy fjalë për autorin

Carlos Ruiz Zafon, autor me talent absolut dhe sukses botëror, e filloi karrierën e tij më 1993 me një seri librash për fëmijë. Më 2001 botoi romanin e tij të parë për të rritur “Hija e erës”, që u bë menjëherë një rast letrar ndërkombëtar, me dhjetëra miliona kopje të shitura në dhjetëra gjuhë. Me romanin e tij “Loja e engjëllit”, ai kthehet në universin e Varrezës së Librave të Harruar, që të gjithë lexuesit e kujtojnë me pasion të madh. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë dhe kanë fituar shumë çmime dhe miliona lexues në të pesë kontinentet.
Të dhëna mbi librin
Titulli: Labirinti i shpirtrave
Origjinali: El laberinto de los espiritus
Gjinia: Roman
Autori: Carlos Ruiz Zafon
Shqipëroi: Flavia Kaba
Shtëpia botuese: Dituria
Viti: 2019
Fq. 713
ISBN: 978-9928-292-34-6

Top Channel