Nga MONIKA STAFA

Rreziku i kolapsit të BE-së për shkak të krizës së koronavirusit “është i vërtetë”, paralajmëroi dje kryeministri italian Giuseppe Conte para një takimi të vështirë mes ministrave të financave të bllokut. Kështu dëgjuam teksa tha për BBC, se pandemia dhe pasojat ekonomiko- sociale që vijnë pas saj, paraqesin një sfidë të madhe për ekzistencën e vetë Evropës. …nëse Evropa nuk arrin të dalë me një politikë monetare dhe financiare të përshtatshme për sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, me siguri jo vetëm italianët por dhe qytetarët evropianë do të zhgënjehen thellësisht, tha ai. Por c’kishte ngjarë?

Ajo Europë e cila ia doli mbanë në dy luftra botërore, të mund të kërcënohej tani në shpërbërje? Mijra të vrarë, miliona të dëmtuar, gjak i derdhur e qytete të rrënuara tani të kthehen në një hic? Projekte madhështore për një kontinent në zhvillim e prosperitet ku shteti i së drejtës dhe ekonomia liberale të futej në një kaos tanimë pas 75 vjetësh?  Paralajmërimi i Conte-s erdhi pas jehonës së deklaratës së ish -Presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, për gazetën austriake ‘Der Standard’ kur tha se, nëse liderët evropianë i bëjnë qytetarët e tyre të mendojnë se po rrethohen nga llogore, “atëherë fryma evropiane është në rrezik”. Po cfarë kish ndodhur?

Gjithë ato festa mes europianësh për një bashkim të merituar mes popujve, gjithë ato tringëllima gotash me verë dhe shampanjë që kisha dëgjuar pas veshit nëpër takime me ta, se një ditë edhe ne do ishim pjesë e klubit, mu plasën mu para syve papritmas? Mësimet e Europës, dikur të ëndërrta për t’i ligjëruar, si një idealiste deri në thellësit të shpirtit për t’u ndjerë e mirëintegruar në fashikujt e kapitujt e saj, mu tronditën për pak. Nuk e kisha menduar kurrë se do të vinte një  kohë për të thënë: Lufta e Dytë Botërore nuk ishte asgjë, sepse kjo që po kalojmë është më e rënda nga të gjitha luftërat. U duk se mbaroi një kapitull libri. Por cfarë do të vinte pas kësaj? Cilat përvjetore do të përkujtonim? Kur thellë e mendon këtë, madje si refren, njeriu është i përligjur të harrojë se pak ditë më parë ishte 7 prilli, një ditë të cilës i është kushtuar një monument në qytetin bregdetar e i janë kënduar kaq e kaq shumë vargje popullore si: “Ditë që mos ardhç kurrë!”

Mungoi këto ditë himni kombëtar, mungoi ceremonia e përvitshme e nderimit të “rezistencës së parë” më 7 prill 1939. Mungoi përkujtimi i atyre 13 mjekëve dhe infermierëve amerikanë, që rastësisht u gjendën në Shqipëri dhe u shpëtuan prej shqiptarëve të thjeshtë. Vajza të reja vullnetare që kishin pranuar të linin familjet e tyre, rehatinë dhe qetësinë, në emër të shpëtimit të jetëve njerëzore! Asnjë shenjë për kujtimin e tyre! Atëherë kur aleancat i ishin vënë kundër Boshtit të së Keqes.

Mungoi mirënjohja e atyrë që morën pjesë në atë luftë të cilën tani e shohim me aq admirim. Munguan fjalimet, retorika, vënia e kurorave me lule pranë përmendoreve, bandat marciale nëpër rrugët e qytetit. Por aspak nuk mund të jemi fajtorë, dhe as të vetëfyer. Është një “luftë e re”, që na sjell ndër mend vargun e Rumiut, përfaqësuesit më të denjë të letërsisë klasike perse, “Si gishtat e dorës janë popujt e botës”, që nuk është thjesht një varg, por një filozofi dhe mënyrë jetese.

Shkenctari hebre Albert Einstein pati thënë se nuk do të ketë më një luftë tjetër botërore, ndryshe nga një diktator në një vend të vogël që e kish parashikuar që c’ke me të. Madje dhe armën e saj bakteriologjike. Nëse Njerëzimi do të lajthisë, kish shtuar Einstein, atëherë kjo luftë do të bëhet me kazma dhe lopata. E si të mos qeshësh pas kësaj?!

S’ka më keq se ajo që po ndodh sot. Është edhe më keq se përfytyrimi i Einstein-it për luftën e tretë. Sot është një tjetër sfidë. Ndryshe nga Lufta e Dytë Botërore në parim nuk është një aleancë kundër një tjetre. Sot gjithë Njerëzimi është përballë një gjëme të përbashkët. Dhe pamë atë që nuk e kishim parë kurrë më parë: bashkitë e qyteteve më të rëndësishëm të Shqipërisë valëvitën në ballkonet e tyre ngjyrat e flamurit tringjyrësh të Italisë, fqinjit tonë në rrezik; ndërsa burri i bukur italian luajti në flaut himnin kombëtar të Shqipërisë. Dhe u duartrokit ngrohtësisht, në shenjë nderimi për misionin vullnetar të 30 mjekëve e infermierëve shqiptarë që shkuan atje ku ishte më rëndë, për t’u përballur me të keqen.

Grafiku nuk gabon. Prej tij shohim cdo ditë sesi humori na ndryshon gjatë ditëve. E keqja do edhe pak ditë të mundet. Në mbi 70 vite me sa duket njerëzimi i pat dhënë vetes disa kompetenca që nuk i takojnë. Duhet një shuplakë për Njerëzimin, paralajmëroi neokirurgu Henry Marsh, në një bisedë që zhvillova me të, nga mesi i vjeshtës. ‘Bota është një vend i mrekullueshëm, mahnitës, më tha ai. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundshme për ta mbajtur mirë. Njerëzimi do të marrë fund, nëse nuk e ndryshojmë mënyrën se si jetojmë.’ Nuk ka shumë kohë që prej paralajmërimit të tij. Dhe Njerëzimi po endet në agoni prej një tronditjeje të thellë që po jeton. Gjithcka e paralajmëruar në fantashkencë. E gjitha që po ndodh është një thirrje për t’i vënë gishtin kokës. Për të kuptuar vlerën e jetës. Asaj të vërtetë.

Tani të gjithë e kuptuam se kontinentet nuk ekzistojnë, racat nuk ekzistojnë, sistemet nuk ekzistojnë, kufijtë nuk ekzistojnë, sovraniteti nuk ekziston. Ekziston vetëm kolektivja. Sëmundja na ka gjunjëzuar të gjithëve; s’ka të pasur e të varfër, s’ka ministra e zgjedhës, s’ka yje dhe fansa. Tom Hanks dhe Boris Johnson nuk është pa para, po është njësoj si plaka e gjorë e Durrësit, viktima e parë e këtij qyteti shqiptar. La Stampa ka vajtuar fatin e botës, por vetëm pak javë më parë u mbyll. Juventus po paguan të njëjtën dhimbje si varfanjakët e emigracionit. Kjo është barazia para së keqes.

Të mjerët dhe ‘të gëzuarit’. Nuk ka më të tillë tani. Sepse jemi të gjithë njësoj. Sa mirë! Tani po paguajmë koston e vetmisë, asaj të madhes, por jo të dimrit. Ca më keq. Të pranverës. Me cmimin që të mësohemi të kuptojmë sa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin. Pikërisht tani.

Ditë në prag të Pashkës, prag ditës kur Njerëzimi beson tek Ringjallja. Kjo është një luftë që nuk do të ketë fitues e të humbur. Jemi të gjithë në të njëjtën arkë, ashtu si atëherë në mes të shiut e qametit kur Noah shpëtoi njerëzimin për gati 40 ditë dhe netë derisa dielli ndricoi sërish. Do të shpëtojmë, sepse popujt po u largohen luftërave, sherreve, konflikteve. Njeriu i ka vënë gishtin kokës: duhet të nderojmë të shkuarën, sepse e sotmja ka vlerë vetëm nëse qysh tani jemi duke menduar për të ardhmen. Si ato mjekë dhe infermierë që ranë butë nga përtej Atlantikut në baltën tonë të Myzeqesë, si ato tonat tani që po u bien këmbët teksa u rrinë fqinjëve tanë në kokë ditë dhe natë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA