Qytete të zhytyra në heshtje, të izoluara nga bota, njerëz që vdesin dhe heronj të vendosur në qëndresë. Letërsia gjithnjë na i ka sjellë përmes leximeve, imazhe të tilla të cilat deri një muaj më parë i shihnim si shpikje të imagjinatës, si fantashkencë.
Nga Italo Calvino, Manzzoni, Albert Kamy, Romen Rolan apo Xhovani Bokaco, shkrimtarë europianë, por pas nuk janë dhe ata shqiptarë si I. Kadare te ‘Kush e solli Doruntinën’, B. Blushi ‘Otello, Arapi i Vlorës’ etj, të cilët e kanë përshkruar këtë marrëzi të panjohur derisa sëmundjes i është gjetur ilaci; psikozat që rëndojnë njerëzinë, teoritë apo dhe simbolikat që shkrimtarët kanë vendosur t’i përdorin për të paralajmëruar murtaja të tjera. Por në fund, ne e kemi parë se fiton e përbotshmja, e madhërishmja; Dashuria për jetën. Pikërisht këtë, kishte parasysh plaku i ngratë francez Kola Brenjon, optimisti dhe shpërfillësi më i madh i jetës në dukje, por një dashnor i madh i saj i fshehtë, i lidhur marrëzisht me thonj pas së bukurës me atë humorin e tij karakteristik.
Këto vepra kanë shumë dekada që janë shkruar, vite e shekuj por nëse një roman arrin të tejkalojë kufijtë gjeografikë dhe ato kohorë, arrin të zbulojë qoshet e shpirtit njerëzor, të të emocionojë dhe të jetë një udhërrëfyes në çdo kohë leximi.
Askush nuk do ta mendonte se kaq shpejt do të kishte një shpërthim shitjesh (apo murtaje?) në Francë e në Itali, ashtu sikundër nuk më shkonte ndër mend se shitjet do të lidheshin me ngjarje që do t’i përjetonim edhe vetë. Në Francë “Murtaja” është bërë leximi i preferuar i momentit për lexuesit, ndërsa në Itali libri është ngjitur nga vendi i shtatëdhjetë e një në vendin e tretë për sa i përket shitjeve. Dhe është lajm i mirë që në kohë të vështira njerëzit kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre jo vetëm tek institucionet shtetërore, te profesionistët dhe në internet, por edhe te letërsia, te dija më e thellë.
Po cilët janë autorët shqiptarë që kanë shkruar për epidemitë? Murtajat apo dhe sëmundje të tilla? Na ndiqni në Vitrinën e Librit me Alda Bardhylin.
Historia e epidemisë që pushton qytetet me radhë tregon për njerëz tragjikisht individualistë, të cilët shumë shpejt përfshihen në një shkatërrim të përbashkët duke u gjunjëzuar përballë sëmundjes. Vetëm në fund, vala e epidemisë nis të tërhiqet dhe njerëzit tentojnë sërish të nisin jetën e mëparshme.
Romani mbetet një metaforë e mirë për përballimin e krizave kolektive, e sidomos të kësaj pandemie aktuale që quhet Covid-19. Murtaja mund të jetë një sistem politik, një sëmundje, një pandemi antivlerash, një elitë e korruptuar. Si në çdo krizë, si në librin e Camus ashtu edhe në realitetin me të cilin po përballemi, ka njerëz që zgjedhin të bashkëpunojnë me të keqen, të dizinformojnë, të jenë dyshues apo cinikë. Gjithçka është e pritshme, ka ndodhur e do të ndodhë.
Sot njerëzit nuk po përballen me frikë, por me ankth, pasi armiku është i padukshëm dhe masat e marra na duken absurde. Pandemia do të kalojë. Por a do të largohet “murtaja” pa prekur zemrën njerëzore? A mund të tejkalohet e keqja pa u përfshirë në të?
Top Channel