Mblidhen drejtuesit e klubeve, propozohet ndërprerja e pagave në masën 30%

04/04/2020 10:25

Mbrëmjen e djeshme ka pasur një video-konferencë të gjatë edhe mes drejtuesve të Premier Leagues në Angli, ku është folur gjerësisht për masat që duhen ndërmarrë për t’u përballuar me situatën e shkaktuar nga përhapja me shpejtësi e Covid-19.

Në një deklaratë zyrtare të lëshuar për mediat, u fol se klubet kanë nisur negociatat me futbollistët dhe Shoqatën e Futbollistëve, për të arritur një akord për ndërprerjen e 30% të pagës vjetore të çdo lojtari që luan në Premier League.

Ky vendim do të lehtësonte ndjeshëm humbjet e mëdha ekonomike që pritet të pësojnë klubet e Premier Leagues, nga ndërprerja e këtij kompeticioni, por edhe kupave të tjera që organizon Federata Angleze.

Kjo e fundit ka vendosur gjithashtu të akordojë një fond ta majmë prej rreth 125 milionë stërlinash, për të ndihmuar të gjithë klubet e ligave të ulëta, të cilët pritet të përballen me vështirësi të mëdha ekonomike gjatë kësaj periudhe.

Në deklaratën e saj, Liga ka shpjeguar se ka marrë angazhim të ndihmojë edhe Shërbimin e Shëndetit Publik, nëpërmjet një fondi prej 20 milionë stërlinash dhe vënies në dispozicion të ambienteve të ndryshme për menaxhimin e situatës.

Sa i përket rifillimit të ndeshjeve, gjithçka është lënë për t’u diskutuar në një moment të dytë, kur situate të jetë më ë favorshme, por është theksuar vullneti për t’u shkuar deri në fund jo vetëm Premier Leagues, por edhe kupave të tjera që organizohen në Angli.

Top Channel