Planeti në paqe! Më pak zhurma dhe ndotje si pasojë e izolimit

03/04/2020 13:08

Rrugët e qyteteve që dikur gëlonin nga njerëzit, sot janë të boshatisura. Trafiku nëpër autostrada, është në minimum.

Dhe gjithmonë e më pak njerëz sheh ende jashtë. Masat e forta të marra kundër përhapjes së koronavirusit, duket se kanë pasur dhe një tjetër efekt: e kanë bërë botën më të qetë. Shkencëtarët kanë vënë re se anekënd planetit, ka pasur më pak zhurma sizmike te ambjentit, që do të thotë vibracione të gjeneruara nga makinat, trenat, autobuzë, por edhe vetë njerëzit në përditshmërinë e tyre. Në mungesë të atij aktiviteti, edhe korja e sipërme e Tokës, po lëviz disi më pak.

Thomas Lecocq, gjeolog dhe sizmolog në observatorin mbretëror të Belgjikës, fillimisht e vuri re këtë fenomen në Bruksel. Që prej mesit të marsit, kryeqyteti belg ka pasur një reduktim të zhurmës sizmike mjedisore me 30% deri në 50%. Kjo pati veç të tjerash një efekt mjaft interesant: Lecocq dhe kolegët e tij arritën të regjistrojnë tërmete më të vogla dhe evente të tjera sizmike, të cilat në kushte normale, nuk do t`i diktonin dot. Diçka e tillë është vënë re nga sizmologët edhe nëpër qytete të tjera, përfshirë Londrën e Kaliforninë. Ata thonë gjithashtu se dridhjet e Tokës në frekuencat 1-20 Hz, që i detyrohen kryesisht aktivitetit njerëzor ( makina, trena, industri…), janë shumë më të ulëta që prej marrjes se masave të ashpra të izolimit të popullatës.

Top Channel