Ish portieri i Milanit, Napolit, Liverpoolit, e skuadrave të tjera europiane, tani pjesë e Aston Villës në Premier League ishte një nga lojtarët që iu desh të përjetonte simptomat e koronavirusit, ndonëse në fund ia doli ta mposhtë me sukses atë.

Në një intervistë për mediat italiane, gardiani spanjoll kujton se nuk del nga shtëpia prej 18 ditësh, ndërsa duke treguar simptomat e virusit, thotë se për një moment kishte ndjerë edhe mungesën e oksigjenit.

“Temperaturë, fyt të tharë dhe një dhimbje koke që më shoqëronte vazhdimisht bashkë me ligështinë. Për një moment, që Zgjati diku rreth 25 minuta, ndjeva edhe mungesën e oksigjenit, pasi fyti mu ngushtua fare. Megjithatë tani jam mirë, por vijoj të jem i izoluar dhe nuk kam dalë jashtë prej 18 ditësh. Për fat të mirë kam pranë bashkëshorten dhe 5 fëmijët e mi, që më ndihmojnë të kaloj kohën”, tregon Reina.

E pamundur të mos flitet edhe për futbollin, duke qenë se periudha më e artë e portierit spanjoll ka qenë te Napoli, ku ishte titullar në një skuadër të ndërtuar nga Sarri, që ushtronte futbollin më spektakolar në Itali dhe ndoshta edhe Europë, ndërsa flirtoi për dy sezone radhazi me titullin kampion.

“Sarri arriti të krijojë një skuadër fantastike, duke çuar përtej maksimumit Koulibaly, Mertens, Allan e Albiol, ndërsa një kontribut të jashtëzakonshëm dhanë edhe Insigne e Callejon. Më vjen keq që nuk fituam diçka, pasi arritëm të memorizojmë një lojë spektakolare”, tregon spanjolli.

Top Channel